Kallëzimi për gjyqtaren Irena Gjoka, Berisha pasi doli nga Prokuroria e Posaçme: Më thirri ‘skapi’ i partisë

12/11/2026 10:48

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur këtë mëngjes në Prokurorinë e Posaçme.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se kryedemokrati është paraqitur në SPAK, pasi së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, do të pyeten në cilësinë e kallëzuesve, lidhur me kallëzimin e depozituar ndaj gjyqtares Irena Gjoka.

Ata e kanë kallëzuar gjyqtaren për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit mbi një dënim në Greqi. Ndërkohë, kujtojmë se Irena Gjoka është gjyqtarja që ka firmosur kërkesat e prokurorisë për dosjen “Partizani”.

Pasi dolki nga Prokuroria e Posaçme, Berisha sërish hodhi akuza ndaj SPAK.

“Erdha me kërkesën e SPAK-ut, i cili, bazuar në urdhrin e gjykatës së çështjes së GJK-së, kallëzuesi i së cilës jam unë, kishte kërkuar të pyetem pasi nuk isha pyetur asnjëherë si kallëzues nga ‘Skapi’ i partisë.

Në gjithë jetën time ky është kallëzimi i parë. Nuk ka asgjë personale, por synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e njeriut, e zyrtarit, e juristit, e gjykatësit. Ndëshkimin e një njeriu që arriti t’u bëjë në qafë kukumalen të gjitha institucioneve të drejtësisë së këtij vendi, të cilat njëlloj si Irena do të paditen për papërgjegjshmërinë e tyre në rastin e Irenës. Pse Irena përbën turpin e njeriut, zyrtarit dhe punonjësit? Sepse është person i cili ka të vërtetuara dy dëbime nga vendi fqinj, ka të vërtetuara dy falsifikime, një dënim penal, falsifikimet e të gjithë formularëve në të cilët kjo nuk i ka pasqyruar”, tha Berisha.

Top Channel