Shifrat e qeverisë, blerësit nga jashtë zotërojnë 0.66% të borxhit të brendshëm

Investitorët jorezidentë zotërojnë rreth 0.66% të totalit të borxhit të brendshëm. Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave, në fund të 9-mujorit 2026 pesha e borxhit të brendshëm e mbajtur nga investitorë të jashtëm ka ngelur pothuajse e pandryshuar nga niveli prej 0.65% i një viti më parë.
Mbështetur në këto shifra, borxhi i financuar nga investitorët jorezidentë vlerësohet në rreth 5.5 miliardë lekë.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se pjesëmarrja e investitorëve të huaj në tregun e instrumenteve të borxhit në Lekë të qeverisë shqiptare nisi të raportohet prej vitit 2023, ndërsa mori përmasa më të mëdha në periudhën 2024-2025.
Megjithëse profili i investitorëve është i mbrojtur nga rregullat e konfidencialitetit, sipas burimeve nga tregu blerësit kanë qenë kryesisht investitorë institucionalë, që kanë vendosur për herë të parë të përfshijnë edhe obligacionet në Lekë të qeverisë shqiptare në portofolet e tyre.
Hyrja e këtyre investitorëve në tregun e titujve qeveritarë në Lekë është ndikuar nga yield-et tërheqëse, por edhe nga përmirësimi i vlerësimit të borxhit sovran nga agjencitë e specializuara.
Megjithatë, tendenca tendenca në rënie e yield-eve duket se e ka frenuar rritjen e mëtejshme të pjesëmarrjes së investitorëve jorezidentë në tregun e borxhit në Lekë të qeverisë shqiptare. Megjithatë, rikthimi i rritjes së yield-eve, duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti mund t’i bëjë instrumentet e borxhit qeveritar më tërheqëse.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar për të gjitha letrat me vlerë të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm në fund të shtatorit u rrit në 4.2%, nga 4.18% që kishte qenë në fund të tremujorit të kaluar. Megjithatë, yield-i mesatar i borxhit ngelet në rënie krahasuar me nivelin prej 4.27% të të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Duke përjashtuar portofolin e bonove të financuar nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar ka arritur në 4.31%, nga 4.3% që kishte qenë në fund të tremujorit të mëparshëm dhe 4.39% që ishte një vit më parë.
Rritja e yield-it mesatar të borxhit të brendshëm ka ardhur si rezultat i një cikli të ngadaltë, por pak a shumë të qëndrueshëm të rritjes së yield-eve në emetimet e reja, duke filluar që nga tremujori i dytë i viti.
Kjo mund të shpjegohet pjesërisht me korrektimin nga nivelet mjaft të ulëta ku yield-et patën arritur në periudhën janar-shkurt, por reflekton edhe forcimin e pritshmërive inflacioniste, pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritjes së çmimit të naftës që prej fillimit të muajit mars. Megjithatë, pas tremujorit të tretë, duket se rritja është ndikuar edhe nga rritja e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm financiar.
Gjithashtu, Ministria e Financave po ndjek edhe një strategji të vazhdueshme të rritjes së maturitetit mesatar të instrumenteve të borxhit të brendshëm.
Në fund të shtatorit, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit më tej në 1180 ditë, nga 1028 ditë që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









