E enjte, 12 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
280 paund dita, si rekrutohen shqiptarët nga rrjetet kriminale në Britani
Lajme

280 paund dita, si rekrutohen shqiptarët nga rrjetet kriminale në Britani

Një investigim gati njëvjeçar i Sky News ka zbuluar mënyrën se si rrjetet kriminale të përfshira në trafikun e kokainës në Britaninë e Madhe rekrutojnë shpërndarës të rinj, organizojnë porositë dhe ndërtojnë aktivitetin e tyre në qytete të ndryshme të vendit. Një nga elementet më shqetësuese të dokumentuara është lehtësia me të cilën gazetarët e infiltruar morën oferta për t’u përfshirë në këtë veprimtari, përfshirë një pagesë prej 280 paundësh në ditë.

Për të depërtuar në këto rrjete, ekipi investigativ përdori identitete të rreme, telefona të posaçëm dhe ndihmën e një bashkëpunëtori që fliste shqip. Gjatë operacionit, gazetarët ndoqën gjurmët e personave që publikonin në TikTok njoftime për vende pune me pagesa të larta. Disa prej tyre shoqëroheshin me emoji të borës, të përdorura si referencë për kokainën.

Kontakti me personat që qëndronin pas këtyre reklamave tregoi se njohja e gjuhës shqipe dhe krijimi i besimit ishin elemente të rëndësishme për të hyrë në kontakt me individët e përfshirë në aktivitetin e paligjshëm.

Takimi në kafene, shqiptari i ofron punë gazetarit të infiltruar

Një nga episodet e dokumentuara ndodhi në Exeter, ku një person që përdorte pseudonimin Leo u takua me gazetarin e infiltruar në një kafene. Në një ambient publik, ai foli hapur për mënyrën se si funksiononte aktiviteti dhe i ofroi gazetarit një vendqëndrim, informacion mbi çmimet e kokainës dhe mundësinë për të nisur punën si shpërndarës.

Oferta ishte e menjëhershme. Ndonëse takimi kishte nisur rreth orës 10:30, Leo këmbënguli që gazetari të fillonte shpërndarjen që në mesditë. Gjatë bisedës, ai diskutoi për çmimet e drogës, uljet për klientët që blinin sasi më të mëdha dhe organizimin e rrjetit.

Kur u pyet nëse policia përbënte rrezik për aktivitetin, ai u përgjigj se nuk ishte problem. Ndërkohë, gazetari regjistronte fshehurazi bisedën. Në një moment, Leo kërkoi t’i shihte patentën e drejtimit, por gazetari shmangu kërkesën duke pretenduar se portofolin e kishte lënë në automjet.

Pamjet u komentuan edhe nga David McKelvey, ish-oficer policie me përvojë në operacionet e fshehta kundër grupeve kriminale shqiptare. Sipas tij, informacionet e dhëna gjatë takimit do të përbënin bazë të mjaftueshme për një kontroll policor në adresën e përmendur.

Oferta prej 280 paundësh në ditë për shpërndarjen e kokainës

Një tjetër takim u zhvillua në Wigan, pasi gazetarët zbuluan një reklamë tjetër për rekrutimin e shpërndarësve të drogës. Këtë herë, biseda u zhvillua brenda një automjeti të parkuar pranë një këndi lojërash për fëmijë.

Personi që drejtonte aktivitetin i ofroi gazetarit të infiltruar 280 paund në ditë për shpërndarjen e kokainës. Gjatë takimit u diskutuan edhe çmimet dhe mënyra e organizimit të shitjes, duke dokumentuar se si pagesat e larta përdoren për të tërhequr persona të rinj në rrjetet kriminale.

Investigimi evidentoi gjithashtu strukturën e shpërndarjes së drogës. Sipas materialit të publikuar, personat që qëndrojnë në nivelet më të larta të këtyre rrjeteve kontrollojnë të ashtuquajturit “deal phones”, telefona përmes të cilëve klientët bëjnë porositë.

Pasi merret porosia, adresa e klientit i përcillet shpërndarësit, i cili kryen dorëzimin e drogës dhe mbledhjen e pagesës.

Për të provuar shpejtësinë e këtij sistemi, një gazetar porositi kokainë në Royal Tunbridge Wells. Brenda pak minutash, mori një mesazh ku i premtohej se porosia do të mbërrinte brenda 30 minutash.

Vlera e këtyre telefonave për rrjetet kriminale lidhet edhe me bazën e klientëve që ata përmbajnë. Një prej tyre, sipas investigimit, ishte reklamuar në TikTok për 300 mijë paund.

Nga trafiku i kokainës te kontrabandimi i emigrantëve

Hetimi nuk u ndal vetëm te tregtia e drogës. Gazetarët identifikuan edhe njoftime në gjuhën shqipe, përmes të cilave ofrohej transportimi drejt vendeve të Europës i personave që kishin probleme me drejtësinë në Britani.

Një prej reklamave premtonte udhëtime të sigurta çdo javë. Pasi kontaktuan personin që qëndronte pas saj përmes një profili të fshehtë, gazetarët morën një ofertë për transportimin e një personi drejt Europës me kamion, kundrejt 2,500 paundëve.

Sipas investigimit, lidhjet mes disa grupeve të përfshira në trafikun e drogës dhe rrjeteve të kontrabandimit të emigrantëve përbëjnë një tjetër aspekt të aktivitetit kriminal që po ndiqet nga autoritetet britanike.

Frank Stewart, zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), deklaroi se disa prej grupeve kriminale shqiptare janë të përfshira edhe në organizimin e emigracionit të paligjshëm.

Si fituan terren grupet shqiptare në tregun britanik të kokainës?

Sipas investigimit, për shumë vite tregu britanik i kokainës kontrollohej kryesisht nga grupe kriminale vendase. Situata nisi të ndryshonte kur organizatat shqiptare krijuan lidhje të drejtpërdrejta me furnizues në Amerikën e Jugut.

Duke shmangur ndërmjetësit europianë, këto rrjete arritën të ulnin kostot e furnizimit, të rrisnin fitimet dhe të siguronin sasi më të mëdha të lëndës narkotike.

Kathryn Westmore, drejtoreshë e sektorit të krimit financiar në UK Finance, vuri në dukje se një prej faktorëve që i bën këto organizata veçanërisht fitimprurëse është kontrolli mbi disa hallka të aktivitetit, nga furnizimi deri te shpërndarja.

Nga ana tjetër, ish-oficeri David McKelvey paralajmëroi për rrezikun që paraqesin këto grupe, duke theksuar se ato mund të përdorin dhunë ekstreme ndaj personave që u kundërvihen ose nuk përmbushin detyrimet ndaj tyre.

Një deklaratë e rëndësishme në dokumentar vjen nga Frank Stewart i NCA-së, sipas të cilit autoritetet britanike vlerësojnë se grupet e organizuara kriminale shqiptare kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend.

Të dhënat e përmendura në investigim e paraqesin Britaninë e Madhe si tregun më të madh të konsumit të kokainës në Europë. Konsumi i kësaj substance, sipas shifrave të cituara, është rritur me më shumë se 25% gjatë pesë viteve të fundit, duke krijuar një treg shumë fitimprurës për organizatat kriminale.

Dëshmia e emigrantit shqiptar: Familja financoi udhëtimin, më pas përfundoi në trafikun e drogës

Një pjesë tjetër e dokumentarit trajton mënyrën se si emigracioni i paligjshëm mund të shfrytëzohet për rekrutimin e personave në veprimtari kriminale.

Gazetarët kontaktuan një shqiptar që kishte mbërritur në Britani me gomone në vitin 2022 dhe që më vonë ishte përfshirë në shpërndarjen e drogës. Ai pranoi të fliste në kushte anonimiteti dhe pretendoi se udhëtimi i tij ishte financuar nga familjarët, me pritshmërinë që pas mbërritjes në Britani të punonte për trafikantët shqiptarë.

Sipas rrëfimit të tij, pasi u largua nga hoteli ku ishte akomoduar si emigrant, përfundoi në një fermë kanabisi në Manchester. Ai pretendoi se kjo ishte pjesë e planit të personave që kishin organizuar udhëtimin.

I pyetur nëse edhe persona të tjerë që kishin udhëtuar me të kishin të njëjtin qëllim, shqiptari u shpreh se shumica ishin nisur për të njëjtën arsye.

Megjithatë, investigimi nënvizon se rastet e tilla nuk përfaqësojnë komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe. Shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në këtë vend nuk kanë asnjë lidhje me krimin e organizuar.

Dokumentari është realizuar nga gazetari Chris Matthews dhe ekipi i Sky News, në bashkëpunim me Full Story Films dhe Quicksilver Media. Ai mban titullin “The Drug Lords Next Door” dhe është parashikuar të transmetohet më 13 nëntor, në orën 21:00, në Sky News dhe Sky Documentaries.

Përmes regjistrimeve të fshehta, dëshmive të ish-anëtarëve të grupeve kriminale, ish-zyrtarëve të policisë dhe përfaqësuesve të institucioneve kundër krimit të organizuar, dokumentari synon të zbulojë mekanizmat dhe përmasat e rrjeteve të trafikut të kokainës në Britaninë e Madhe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.