Policia nuk ekzekuton dot vendimin, Oltion Bistri nuk gjendet në banesë
Ish-drejtuesi i Forcës së Posaçme Operacionale, Oltion Bistri, nuk është lokalizuar ende nga policia, një ditë pas vendimit të Apelit të Posaçëm që e dënoi me 7 vite e 4 muaj burg për dosjen “Metamorfoza”. Forcat e policisë kanë shkuar në banesën e tij për të zbatuar vendimin gjyqësor, por nuk e kanë gjetur aty.
Sipas informacioneve paraprake, autoritetet nuk kanë arritur ende të bëjnë të mundur arrestimin e Bistrit, pasi ai nuk është konstatuar në adresën e banimit. Për rrjedhojë, vendimi i Apelit të GJKKO-së për rikthimin e tij në qeli mbetet ende i paekzekutuar.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes në apel, ish-shefi i Operacionales u dënua me 7 vite e 4 muaj heqje lirie, përmes aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, nga përllogaritjet e Prokurorisë së Posaçme, kohëzgjatja e dënimit që i mbetet për të vuajtur është 3 vite, 10 muaj e 14 ditë.
Ndryshe nga vendimi i shkallës së parë, ku gjatë vitit 2025 Bistri ishte shpallur fajtor vetëm për zbulimin e akteve apo të dhënave sekrete, Apeli i Posaçëm e gjeti fajtor edhe për dy vepra të tjera penale: korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Vendimi i ri përbën një tjetër zhvillim të rëndësishëm në dosjen e bujshme “Metamorfoza”, ku ish-zyrtari i lartë i policisë përballet me akuza që lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Ndërkohë, mbetet për t’u parë se kur policia do të arrijë të lokalizojë dhe të ekzekutojë vendimin e dënimit ndaj tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



