Sot në mbrëmje do të luhet ndeshja mes Kombëtares Shqiptare dhe Finlandës e vlefshme për Nations League.
Në prag të kësaj sfide, Federata Shqiptare ka dale me një thirrje për tifozët që do të ndjekin ndeshjen nga tribunat e Arenës Kombëtare që të tregojnë kujdes maksimal gjatë sigurimit të biletave.
FSHF paralajmëron tifozët të mos bien pre e mashtrimeve me bileta të dublikuara dhe të shmangin blerjet nga persona të paautorizuar apo burime të dyshimta. Në këto raste ekziston rreziku që e njëjta biletë të shitet disa herë, duke krijuar probleme në momentin e hyrjes në stadium.
Gjithashtu, për të shmangur radhët dhe vonesat, FSHF këshillon të gjithë tifozët të paraqiten pranë stadiumit në kohë, duke planifikuar paraprakisht mbërritjen e tyre.
Qeveria e futbollit në vend shton se për arsye sigurie, Policia e Shtetit do të kryejë kontrolle të shtuara në hyrje të stadiumit dhe për këtë arsye ajo kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tifozëve, si dhe respektimin e udhëzimeve të personelit të sigurisë.
FSHF fton të gjithë tifozët të tregojnë përgjegjshmëri, në mënyrë që hyrja në stadium dhe zhvillimi i ndeshjes të kalojnë sa më mirë.










