Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka dhënë sqarime në Kuvendin e Kosovës lidhur me betimin ushtarak të djalit të tij në Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë.

Quni tha se publikimi i fotografisë së betimit të të birit në rrjetet sociale ishte bërë nga gëzimi prindëror, por, sipas tij, ky veprim u pasua nga një fushatë linçimi dhe keqpërdorimi.


Duke iu përgjigjur akuzave se kishte shfrytëzuar pozitën e tij si deputet për ta dërguar djalin në ushtrinë e një shteti të huaj, Quni i mohoi këto pretendime.

Ai sqaroi se Dritoni ka lindur, është shkolluar dhe jeton në Kosovë, por posedon edhe shtetësinë kroate.


Sipas Qunit, raporton kp, i biri nuk ka shkuar në ushtrinë kroate përmes ndonjë ndikimi politik apo privilegji, por i është përgjigjur ftesës ligjore për shërbim të detyrueshëm ushtarak, si shtetas i Kroacisë.

“Ditë më parë, djali ynë Dritoni dha betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë. Si çdo familje që gëzohet me sukseset e fëmijëve, e ndava këtë në rrjetet sociale. Për fat të keq, ky gëzim prindëror u bë shënjestër e një fushate të ulët linçimi dhe keqpërdorimi. Në këtë sallë, ku flitet për ligje, drejtësi dhe të vërteta, e ndiej detyrim moral ndaj qytetarëve që t’i përgjigjem çdo akuze të pabazë dhe manipulative.

U akuzova se kam keqpërdorur autoritetin tim si deputet për ta dërguar djalin në një ushtri të huaj. E vërteta është se Dritoni ka lindur, është shkolluar dhe jeton në Kosovë. Ai nuk është dërguar atje me ndonjë ndikim politik apo privilegj, mirëpo, krahas shtetësisë së Kosovës, gëzon edhe shtetësinë e Kroacisë. Ai, si çdo shtetas tjetër i atij vendi, iu përgjigj ftesës ligjore për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, njësoj si qindra të rinj shqiptarë që shërbejnë në ushtritë perëndimore”, tha ai.