
Michael Carrick nuk do të jetë më trajner i Manchester United. Sipas raportimeve të mediave angleze, aventura e tij në krye të “Djajve të Kuq” ka përfunduar, pasi drejtuesit e klubit kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me të.
Tekniku anglez ka qenë këtë mëngjes në qendrën stërvitore të Carrington, ku janë zhvilluar edhe procedurat e fundit për ndarjen mes palëve. Barazimi spektakolar 4-4 ndaj Aston Villa duket se ka qenë ndeshja e fundit e Carrick në pankinën e United.
Pas këtij vendimi, drejtuesit e klubit kanë nisur punën për gjetjen e pasuesit të tij, ndërsa emri që kryeson listën është Mauricio Pochettino. Trajneri argjentinas, i cili ka drejtuar më parë Tottenhamin, Paris Saint-Germain dhe Chelsean, konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës nga “Old Trafford”.
Megjithatë, transferimi i tij në Angli nuk pritet të jetë i thjeshtë. Pochettino është aktualisht në krye të Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për ta liruar nga kontrata, Manchester United duhet të paguajë klauzolën e largimit.
Sipas raportimeve, klubi anglez është i gatshëm të investojë rreth 10 milionë euro për të siguruar shërbimet e trajnerit argjentinas. Nëse në marrëveshje përfshihen edhe anëtarët e stafit të tij teknik, kostoja totale mund të shkojë në rreth 12 milionë euro.
Pochettino shihet si emri i preferuar për të nisur një projekt të ri te Manchester United, në një moment kur klubi kërkon të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit anglez dhe europian.
