Një shtetas shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në Bruksel, ndërsa personat që dyshohet se qëndrojnë pas vrasjes së tij akuzohen edhe për ekzekutimin e një efektivi të policisë belge, vetëm disa orë më vonë. Bëhet fjalë për policin 41-vjeçar Nordine El Talbi, i cili u qëllua për vdekje gjatë natës mes 12 dhe 13 tetorit, në komunën Jette të kryeqytetit belg.
Sipas gazetës belge “De Standaard”, hetuesit kanë arritur në përfundimin se të dyja vrasjet mund të jenë kryer nga të njëjtët persona. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar në avancimin e hetimeve dhe në krijimin e një panorame më të qartë mbi lëvizjet e autorëve para dhe pas atentateve. Ngjarja e parë ndodhi të hënën, më 12 tetor, rreth orës 17:50, në rrugën Wiertz, në komunën Ixelles, në afërsi të Parlamentit Evropian. Shtetasi shqiptar u qëllua me armë zjarri në hollin e një pallati banimi, në një zonë të frekuentuar të Brukselit.
Autorët e qëlluan viktimën me shtatë ose tetë plumba pistolete në gjoks. Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, shqiptari ndërroi jetë në vendngjarje. Pas atentatit, tre ose katër persona u larguan me shpejtësi. Viktima nuk kishte precedentë penalë në Belgjikë. Megjithatë, mënyra e ekzekutimit ka ngritur dyshime se bëhej fjalë për një atentat të mirëorganizuar, që mund të lidhet me larje hesapesh në botën e trafikut të drogës.
Fillimisht, Prokuroria e Brukselit deklaroi se nuk kishte të dhëna që të lidhnin vrasjen e shqiptarit me atë të policit belg. Por, me avancimin e hetimeve dhe analizimin e pamjeve filmike, hetuesit kanë krijuar bindjen se pas të dyja ngjarjeve qëndrojnë të njëjtët persona.
Disa orë pas vrasjes së shqiptarit, ekzekutohet polici belg
Vetëm disa orë pas atentatit në Ixelles, efektivi i policisë Nordine El Talbi dhe kolegët e tij të njësisë kundër grabitjeve po ndiqnin gjurmët e një automjeti tip Volkswagen T-Cross, i cili ishte grabitur me dhunë më herët gjatë mbrëmjes në Tubize. Rreth mesnatës, policët konstatuan automjetin e parkuar përgjatë bulevardit Carton de Wiart, në komunën Jette. Kur El Talbi iu afrua në këmbë për të kontrolluar situatën, personat që ndodheshin brenda makinës hapën zjarr ndaj tij.
Një prej plumbave e goditi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen. Sipas prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, në automjet ndodheshin pesë persona dhe njëri prej tyre qëlloi plumbin fatal. Pas sulmit, autorët braktisën automjetin dhe lanë në trotuar, pranë tij, tre armë zjarri. Më pas u larguan në këmbë, duke lënë pas një ngjarje të rëndë që tronditi policinë dhe opinionin publik belg.
Pas dy vrasjeve, personat e dyshuar u larguan jashtë Belgjikës, por autoritetet arritën të identifikonin dhe lokalizonin disa prej tyre në vende të tjera europiane. Më pak se një javë pas ngjarjeve, tre prej të dyshuarve u arrestuan në Almería të Spanjës.
Sipas raportimeve, ata dyshohet se po udhëtonin në drejtim të Marokut. Një tjetër person u arrestua në një stacion treni në Paris të Francës.
Njëri prej katër të arrestuarve është i mitur. Të gjithë janë dorëzuar më pas te autoritetet belge, ku do të përballen me procedurat përkatëse ligjore. Ndërkohë, menjëherë pas të shtënave, policia kishte arrestuar në Bruksel edhe dy persona të tjerë të dyshuar.
Dhoma e Këshillit vendosi lirimin e njërit prej tyre, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme, ndërsa personi tjetër vijon të mbahet në paraburgim.
Të dyshuarit njihen për lidhje me trafikun e drogës
Sipas raportimit të mediave belge, të gjithë personat e dyshuar janë banorë të Brukselit dhe njihen nga autoritetet për lidhjet e tyre të dyshuara me botën e trafikut të drogës. Gjatë hetimeve, policia ka zbuluar gjithashtu një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike brenda automjetit Volkswagen T-Cross, i cili ishte grabitur në Tubize dhe më pas ishte përdorur nga autorët në momentin e përplasjes me policinë.
Megjithatë, motivet e sakta të dy vrasjeve dhe lidhja mes tyre nuk janë zbardhur plotësisht.
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një konflikt të vetëm kriminal, të lidhur me trafikun e drogës, apo nëse ekzistojnë rrethana të tjera që kanë çuar në këto dy atentate. Ajo që dihet deri më tani është se fillimisht u vra shtetasi shqiptar në Ixelles, më pas u grabit me dhunë automjeti në Tubize dhe disa orë më vonë u qëllua për vdekje polici belg në Jette.












