Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me zhvillimet në padinë ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke pretenduar se vendimi për ta thirrur për t’u pyetur si kallëzues ishte marrë rreth gjashtë muaj më parë, por njoftimi iu bë vetëm në ditët e fundit të afatit.
Gjatë një prononcimi për mediat, jashtë SPAK-ut, Berisha deklaroi se ishte njoftuar vetëm tre ditë përpara dhe se, sipas tij, kjo ishte bërë qëllimisht, me shpresën se ai nuk do të ndodhej në Shqipëri dhe çështja do të mbyllej me pretendimin se nuk ishte gjetur.
Sipas Berishës, gjykata kishte kërkuar që ai të pyetej përmes një vendimi që përmbante rreth 20 pyetje, por njoftimi për paraqitjen e tij ishte bërë vetëm në fund të afatit gjashtëmujor.
Berisha: Por problemi është se Irena u padit, dhe Altin Maneku, avokati i saj, e çoi pa asnjë lloj përgjegjësie, në mungesë të plotë përgjegjësie, e çoi në gjykatë si një person për të cilin nuk ka asnjë lloj fakti penal.
E kuptoni ju?
Pra, për Altin Manekun, mashtrimi në formularët e vetingut, mashtrimi në formularin e dekriminalizimit, mashtrimi në formularin e emërimit kryetar gjykate, nuk përbën vepër penale dhe se neni 96 i Kushtetutës nuk ekziston.
Të gjetur para këtij akti të pafytyrë dhe të papërgjegjshëm, një gjykatëse vendos të bëjë ligjin. Një gjykatëse që i beson ligjit, e kthen vendimin e paturpshëm dhe kriminal të Altin Manekut, se këta kanë nxjerrë tani formulën, ka vjedhur, por nuk dënohet.
Gjykatësja e ktheu me 20 pyetje, ndër të cilat ajo kërkon të pyetet kallëzuesi i Irena Maneku Gjokës, Sali Berisha.
Thirrem tani, historia është kjo, ky vendim është marrë nga gjykatësja pothuajse gjashtë muaj më parë dhe unë thirrem në limitet e afatit gjashtëmujor, javën e fundit të gjashtë muajve që ka caktuar gjykatësja.
Pse kështu?
Me shpresën se nuk do gjendet në Shqipëri.
E kuptoni ju se çfarë mendje djallëzore kanë…
Pyetje: Nuk do gjendeshit ju apo zonja Gjoka?
Berisha: Nuk do gjendesha unë se unë jam për t’u pyetur.
Pyetje: Po ju jeni me detyrim paraqitje, duhet të njoftonit autoritetet kur të largoheshit?
Berisha: Unë njoftimin e kam marrë absolutisht tre ditë më parë dhe unë mund të isha jashtë dhe mund të mos isha dhe këta mund ta mbyllnin që nuk u gjet.
Po si ka mundësi të pyetet kallëzuesi pasi gjykatësja shtron 20 pyetje, kërkon që të pyetet kallëzuesi dhe jep pyetjet se çfarë do pyetet dhe tani kallëzuesi thirret javën e fundit dhe njoftohet, meqenëse e shtruat ju, maksimumi katër ose pesë ditë më parë.
Pra, e shihni ju se çfarë përfaqëson Irena.












