Ylli i Real Madridit refuzon transferimin te Milani shkaku i bindjeve fetare

Sulmuesi brazilian i Real Madridit, Endrick, thuhet se ka refuzuar mundësinë e transferimit te Milani për një arsye të pazakontë, pavarësisht interesimit të klubit italian për ta marrë në huazim.
Sipas gazetës Corriere dello Sport, futbollisti 20-vjeçar nuk dëshiron të luajë për një klub që njihet me nofkën “Djajtë”, për shkak të bindjeve të tij fetare.
Endrick është i krishterë ungjillor dhe shpesh e përshkruan veten si “atlet i Krishtit”. Sipas mediumit italian, ai nuk ndihet rehat me nofkën dhe simbolikën e Milanit, të cilat lidhen me figurën e djallit.
Milani ka shfaqur interesim për ta transferuar në formë huazimi, por çështjet fetare thuhet se kanë ndikuar ndjeshëm në vendimin e brazilianit.

Corriere dello Sport rikujton se edhe ish-ylli Kaka, i njohur për besimin e tij të hapur, kishte luajtur për shumë vite te Milani, por Endrick nuk është i gatshëm të bëjë kompromis për këtë çështje.
Ndërkohë, Roma duket se është në pozitë më të favorshme për ta siguruar shërbimin e tij. Sipas të njëjtit burim, klubi kryeqytetas është zgjedhja e preferuar e brazilianit.
Prania e bashkëkombësit Wesley në skuadrën romake mund të ndihmojë në bindjen e Endrickut për t'iu bashkuar klubit, ndërsa një tjetër faktor favorizues raportohet të jetë edhe komuniteti i madh ungjillor në qytet.
Në garë për shërbimet e sulmuesit të Real Madridit është edhe Sporting Lisbona, por për momentin Roma raportohet të jetë në epërsi ndaj rivalëve italianë./Telegrafi/








































