Kreu i një organizate kriminale turke, i kërkuar ndërkombëtarisht me njoftim të kuq të Interpolit, është ekstraduar nga Greqia drejt Turqisë, pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve të të dy vendeve. Bëhet fjalë për Sercan Sayal, ndaj të cilit rëndojnë akuza për dhjetëra vepra të rënda penale, përfshirë komplote për vrasje, sulme të armatosura, grabitje, kërcënime dhe vrasje me paramendim në Izmir. Sipas Ministrisë së Brendshme turke, në dosjen e tij figurojnë plot 116 urdhër-arreste të pazbatuara.
Lajmi për ekstradimin u bë publik nga Ministria e Brendshme e Turqisë, e cila theksoi se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me policinë dhe autoritetet gjyqësore. Ministri i Brendshëm, Mustafa Çifci, deklaroi se Turqia nuk do të lejojë që personat e kërkuar për krime të rënda të gjejnë strehë jashtë vendit. “Ne siguruam ekstradimin nga Greqia në vendin tonë të kreut të krimit të organizuar, i cili kërkohej me njoftim të kuq. I dhamë fund arratisjes së tij dhe ia dorëzuam drejtësisë”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, që nga fillimi i vitit autoritetet turke kanë riatdhesuar 805 persona të shpallur në kërkim, mes tyre 189 drejtues dhe anëtarë të organizatave mafioze, të lokalizuar në 45 vende të ndryshme të botës. “Askush që kërcënon paqen, jetën dhe pronën e qytetarëve tanë nuk duhet të mendojë se mund të gjejë një strehë të sigurt diku në botë”, deklaroi Çifci.
