Me 79 vota për, Kuvendi ka miratuar mocionin e PDK-së që Ligji për Specialen të përfshihet si pika e 11-të dhe e fundit në rendin e ditës.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, propozoi mocionin procedural për ndryshimin e rendit të ditës së Kuvendit, me qëllim përfshirjen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Çitaku ka thënë se PDK-ja është dakorduar me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupe të tjera parlamentare që e kanë mbështetur ligjin, për përmbajtjen e tij, ndonëse kanë pasur mospajtime lidhur me procedurën.
Ajo ka kërkuar që mocioni të miratohet dhe ligji të votohet gjatë seancës së sotme, ndërsa nga e hëna të nisë procedura e amendamentimit, për të cilën ka propozuar që të ndahen dy javë kohë.
“Me diskutimet e shumta që kemi pasur me eksponentë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, po edhe me grupe të tjera parlamentare që e kanë mbështetur këtë ligj, ne jemi dakorduar, jemi pajtuar. Ndonëse kemi pasur mosmarrëveshje në procedurë, në përmbajtje kemi dakordim”, ka deklaruar Çitaku.
Çitaku ka rikujtuar se PDK-ja kishte propozuar kthimin e ligjit në Kuvend, me arsyetimin se kishte marrë këshilla dhe rekomandime që, sipas saj, do ta bënin atë më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm juridikisht.
Ajo ka thënë se partia e saj e ka marrë këtë vendim duke e ditur se mund t’i kushtojë politikisht, por ka theksuar se qëllimi i nismës është më i rëndësishëm se dëmi i mundshëm për PDK-në.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka deklaruar se VV-ja e mbështet përfshirjen e Ligjit për Specialen në rendin e ditës, ndonëse ka pasur vërejtje për mënyrën se si është hartuar projektligji.
Ajo ka thënë se, meqë PDK-ja ka besuar në këtë nismë, VV-ja ka vendosur ta mbështesë atë, duke theksuar se për çështjen mund të diskutohet sërish gjatë seancës.
Ndërkaq, pas propozimit të Vlora Çitakut që pika të vendosej më herët në rend dite, ajo ka kërkuar që ligji të mbetet pika e fundit.