Kukësi vijon të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme, të cilat gjatë dy ditëve të fundit janë shoqëruar me reshje shiu, kryesisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes.
Një nga rastet më problematike është regjistruar gjatë mbrëmjes së së mërkurës në Rrugën e Kombit, në afërsi të fshatit Bardhoc, në drejtim të pikës kufitare të Morinës. Si pasojë e reshjeve të shiut, një masiv i madh shkëmbor është shkëputur nga shpati malor dhe ka përfunduar në mes të rrugës, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve. Kjo ka krijuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në këtë aks të rëndësishëm kombëtar, ndërsa fatmirësisht në momentin e rënies së masivit shkëmbor nuk ka pasur automjete duke kaluar në atë segment.
Me ndihmën e mjeteve të rënda është bërë largimi i masivit shkëmbor nga trupi i rrugës, duke mundësuar normalizimin e qarkullimit brenda rreth një ore. Problematika të tilla rikthejnë vëmendjen te rreziku që paraqesin shpatet malore përgjatë akseve rrugore, veçanërisht në periudha me reshje shiu, kur lagështira mund të favorizojë shkëputjen e gurëve dhe dherave.
Rruga e Kombit, si një nga akset më të rëndësishme që lidh Shqipërinë me Kosovën, ka një fluks të konsiderueshëm automjetesh gjatë gjithë vitit. Për këtë arsye, prania e gurëve apo e masiveve shkëmbore në rrugë përbën një rrezik serioz për sigurinë rrugore.
Drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë në këtë aks, por edhe në rrugët e tjera malore të qarkut të Kukësit, duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të reduktojnë shpejtësinë dhe të jenë veçanërisht të vëmendshëm në segmentet ku ka shpate të pjerrëta apo shenja të rënies së gurëve dhe dherave.









Komente
Komento