Rama nga Irlanda: Sazani nuk është shitur, Samiti i Komunitetit Politik Evropian mund të mbahet në Tiranë në 2028
Kryeministri Edi Rama ka folur nga Dublini, ku po merr pjesë në takimin e 9-të të Komitetit Politik Evropian (EPC), për disa çështje që lidhen me zhvillimet politike në vend dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Në përgjigjet për gazetarët, Rama u ndal te protesta e zhvilluar nga disa shqiptarë gjatë vizitës së tij në Irlandë, duke e cilësuar atë si pjesë të funksionimit të një vendi demokratik, ku respektohen ligjet dhe rregullat.
Kryeministri tha se vetë është ndjerë i mirëpritur në Irlandë, ndërsa shtoi se disa bashkëkombës kishin zgjedhur ta prisnin në një mënyrë tjetër.
Edi Rama: Ky është një vend demokratik dhe është i drejtuar nga rregulla dhe ligje dhe ajo çfarë ndodhi është të qenurit vend demokratik me ligje dhe rregulla.
Në Irlandë jam ndjerë i mikpritur dhe po, ishin disa motra dhe vëllezër shqiptarë që e panë të arsyeshme të më prisnin në një metodë ndryshe dhe është ajo çfarë është.
Sa i përket organizimit të samitit të ardhshëm, Rama bëri të ditur se ende nuk ka një datë të përcaktuar, por ai mund të zhvillohet në vitin 2028 në Tiranë. Ai mohoi të jetë i frustruar nga kjo situatë, duke u shprehur se është i kënaqur me zhvillimet.
Edi Rama: Ne ende nuk kemi një datë tamam se kur do të mblidhet ai samit, jo në vitin 2027, por ndoshta në vitin 2028 ai do të mbahet dhe do të mbahet në Tiranë. Pse duhet të jem i frustruar? Jam shumë i kënaqur dhe kjo s’ka asgjë me frustrimin. Gjithçka është normale.
Një tjetër temë për të cilën u pyet kryeministri ishte Jared Kushner dhe planet e tij për investimin në ishullin e Sazanit. Rama deklaroi se nuk ka asnjë marrëveshje biznesi personale me të, por se qeveria është në diskutime me grupin e tij të punës.
Ai mohoi pretendimet se ishulli është shitur, duke theksuar se ai është pronë e shtetit dhe do të vijojë të mbetet e tillë. Sipas Ramës, ekziston një dakordësi për investim, por çështja nuk duhet nxjerrë jashtë kontekstit.
Edi Rama: Pse duhet të di unë planet e Kushner? Nuk kam asnjë ujdi biznesi me të. Ne jemi në diskutime me grupin e tij të punës dhe gjeje se çfarë? Nëse unë të pyes se çfarë di ti. Ti do të thuash se ka një ishull në Irlandë që po i shitet atij. Por nuk ka ende asnjë marrëveshje. Nuk ka asnjë ishull të shitur, ai ishull është i shtetit dhe do të vijojë t’i mbetet shtetit. Po, ka një dakordësi për investim, por nuk duhet t’i nxirrnin gjërat jashtë kontekstit. Shiko, kjo nuk është puna jote që të vendosësh, është punë e popullit shqiptar, të cilët më dhanë mandatin qeverisës dhe kjo nuk ndodhi një dekadë më parë, por ndodhi një vit më parë.
Në lidhje me procesin e integrimit europian dhe të ardhmen e Bashkimit Europian, Rama u shpreh se nuk ka një rrugë tjetër përveç anëtarësimit dhe se kjo vlen për të gjitha vendet kandidate.
Kryeministri theksoi nevojën që vendet kandidate të ulen në një tryezë të përbashkët për të diskutuar të ardhmen e tyre, ndërsa shmangu komentet mbi vendimmarrjen e brendshme të Irlandës dhe vendeve të tjera.
Edi Rama: Nuk ka asnjë rrugë tjetër për Bashkimin Europian dhe kjo vlen dhe për vendet e tjera. Ajo çfarë BE duhet të bëjë është që t’i ulë të gjitha vendet kandidate në tavolinë dhe të diskutojmë për të ardhmen e përbashkët. Ne jemi shumë të vegjël dhe e dimë vendin tonë dhe nuk është puna jonë që të kritikojmë apo të vendosim për vendet e tjera. Nuk do të bëj gabimin e kolegut tënd, pasi nuk është puna ime për të vendosur se çfarë duhet të vendosë populli irlandez. Besoj nuk është vetëm për votuesit, por se si liderët e Europës janë duke qëndruar për një Europë të bashkuar dhe nuk mendoj se Irlanda është problem, përkundrazi Irlanda është shembulli se si qasje të ndara nuk sjellin përçarje në Europë.




