Hita vizitë në Akademinë e Policisë në Romë: Formimi profesional, baza për një polici moderne. Zgjerojmë bashkëpunimin me Italinë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Akademinë e Policisë së Italisë, në Romë, ku është pritur nga drejtori i institucionit, Mario Viola.
Gjatë takimit, Hita theksoi rëndësinë e arsimit dhe formimit profesional në ndërtimin e një policie moderne, duke e cilësuar zhvillimin e Akademisë së Sigurisë si një prej prioriteteve të tij.
Kreu i Policisë së Shtetit u shpreh se synimi është zgjerimi i bashkëpunimit me institucionet arsimore italiane përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, si dhe organizimit të trajnimeve të specializuara.
“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia. Synimi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin me institucionet tuaja arsimore përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, trajnimeve të specializuara”, u shpreh Hita.
Nga ana e tij, drejtori i Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola, vlerësoi progresin e Akademisë së Sigurisë në Shqipëri dhe rikonfirmoi mbështetjen për zhvillimin e saj përmes literaturës, trajnimeve dhe programit Master.
“Vlerësoj progresin e Akademisë së Sigurisë të Policisë shqiptare, e cila tashmë është e akredituar dhe ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shumë akademi në rajon, Evropë dhe ShBA. Jemi të lumtur që kontribuojmë në fuqizimin e saj. Akademia e Policisë italiane do të vijojë ta mbështesë përmes literaturës, trajnimeve, programit Master dhe çdo nevoje tjetër”, u shpreh Viola.
Ndërkohë, rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Ilirjan Mandro, vlerësoi rëndësinë e përafrimit të sistemeve të arsimit policor dhe vijimit të bashkëpunimit në programin Master “Hetimi i Krimit”, shkëmbimin e lektorëve dhe trajnimin e punonjësve të policisë.
Bashkëpunimi mes dy institucioneve synon forcimin e kapaciteteve profesionale të Policisë shqiptare dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



