Thursday / November 12 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Business Tech Teknologji

BE me rregulla të reja për blerjet online, abonimet dhe reklamat, gjoba deri në 6% të xhiros globale

Share Share Icon

Bashkimi Europian synon t’u japë fund praktikave që i shtyjnë konsumatorët të shpenzojnë më shumë në internet, përmes çmimeve të fshehura, abonimeve që rinovohen automatikisht dhe mekanizmave digjitalë që nxisin përdorimin e tepruar të platformave. Kompanitë që shkelin rregullat mund të përballen me gjoba deri në 6% të xhiros së tyre vjetore globale.

Komisioni Europian prezantoi më 11 nëntor propozimin për Aktin e Drejtësisë Digjitale (Digital Fairness Act), një paketë rregullash që synon të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve në ekonominë digjitale. Nisma përfshin kufizime ndaj praktikave manipuluese të marketingut, detyrime për transparencën e çmimeve, rregulla për reklamat e influencuesve dhe masa për mbrojtjen e fëmijëve në platformat online.

Sipas Komisionit Europian, bëhet fjalë për një nga reformat më të rëndësishme të mbrojtjes së konsumatorëve në më shumë se 20 vjet. Ndryshimet synojnë të përshtatin legjislacionin me zhvillimin e tregtisë elektronike, rrjeteve sociale dhe shërbimeve digjitale me pagesë.

Një nga objektivat kryesorë është ndalimi i praktikave të njohura si dark patterns, teknika të përdorura nga faqet e internetit dhe aplikacionet për të ndikuar në vendimet e konsumatorëve. Një shembull janë njoftimet e rreme se një produkt është drejt përfundimit të stokut, të cilat krijojnë presion për blerje të menjëhershme.

Rregullat e propozuara parashikojnë gjithashtu që konsumatorët të informohen qartë për çmimin përfundimtar të produkteve dhe shërbimeve. Kjo përfshin edhe rastet e çmimeve dinamike, si biletat për koncerte apo aktivitete sportive, ku çmimi ndryshon në varësi të kërkesës.

Abonimet online, më të lehta për t’u anuluar

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me abonimet digjitale. Kompanitë do të duhet t’ua bëjnë më të lehtë përdoruesve anulimin e shërbimeve dhe të shmangin rinovimet automatike të padëshiruara.

Konsumatorët do të marrin njoftime përpara përfundimit të periudhave të provës falas, ndërsa kalimi në abonime me pagesë nuk duhet të ndodhë pa një zgjedhje të vetëdijshme të përdoruesit.

Propozimi parashikon edhe të drejtën e konsumatorëve për të komunikuar me një punonjës të shërbimit ndaj klientit, në vend që të mbeten të kufizuar vetëm te komunikimi me chatbot-e.

Rrjetet sociale dhe lojërat online nën kufizime të reja

Komisioni Europian synon të ndërhyjë edhe te mekanizmat që i mbajnë përdoruesit për kohë të gjatë në platformat digjitale. Sipas propozimit, përdoruesit duhet të kenë mundësinë të çaktivizojnë funksione si shfaqja automatike e videove dhe lëvizja e pafundme në përmbajtje (infinite scrolling).

Vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së fëmijëve nga praktikat që nxisin shpenzimet në lojërat elektronike. Propozimi parashikon kufizime për mekanizmat që u kërkojnë të miturve të paguajnë për të avancuar në lojë, si dhe për blerjet me shpërblime të rastësishme, të njohura si loot boxes.

Kompanitë do të duhet të ofrojnë edhe informacion më të qartë për vlerën reale të monedhave virtuale që përdoren brenda lojërave, në mënyrë që konsumatorët të kuptojnë sa para po shpenzojnë.

Rregulla të reja edhe për influencuesit

Për herë të parë, propozimi përfshin rregulla të posaçme për marketingun e influencuesve. Krijuesit e përmbajtjes do të duhet të identifikojnë qartë materialet me karakter tregtar, ndërsa do të kufizohen praktikat që shfrytëzojnë besimin e fëmijëve për të promovuar produkte apo shërbime.

Komisioni propozon gjithashtu ndalimin e reklamave dhe çmimeve të personalizuara në mënyrë të padrejtë, kur ato synojnë të miturit ose shfrytëzojnë dobësitë e konsumatorëve.

Deri në 13,7 miliardë euro përfitime në vit për konsumatorët

Përtej mbrojtjes së përdoruesve, reforma pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm ekonomik. Sipas vlerësimit të Komisionit Europian, masat e propozuara mund t’u kursejnë konsumatorëve rreth 88,4 miliardë euro humbje financiare gjatë periudhës 2025–2035.

Duke përfshirë edhe kohën e humbur nga praktikat e padrejta digjitale, përfitimi i përgjithshëm vjetor vlerësohet në 13,7 miliardë euro. Ndërkohë, kostot e përsëritura të zbatimit për bizneset llogariten në rreth 678 milionë euro në vit.

Paralelisht me Aktin e Drejtësisë Digjitale, Komisioni ka propozuar edhe ndryshime në rregulloren për bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve të mbrojtjes së konsumatorëve. Këto ndryshime do t’i jepnin Brukselit kompetenca më të mëdha për të hetuar drejtpërdrejt shkeljet në shkallë të gjerë që prekin konsumatorët në disa vende të BE-së.

Në raste të tilla, kompanitë mund të gjobiten deri në 6% të xhiros së tyre vjetore globale.

Megjithatë, propozimi ka ngritur edhe shqetësime në industrinë e teknologjisë. Përfaqësues të biznesit dhe ekspertë të legjislacionit digjital paralajmërojnë se rregullat e reja mund të mbivendosen me legjislacionin ekzistues europian, duke shtuar kompleksitetin dhe kostot administrative për kompanitë.

Paketa duhet të shqyrtohet dhe miratohet nga Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare përpara se të kthehet në legjislacion të detyrueshëm./ EURONEWS

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Nvidia humbet mbi 4% në bursë, Trump konfirmon hetimin e FBI-së ndaj drejtuesit të kompanisë

Gjiganti amerikan i çipave Nvidia është përfshirë në një çështje që po krijon pasiguri për investitorët dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet tregtar...

2 days më parë 8 Min Lexim

BE kërkon ndryshime në algoritmin e TikTok, për shkak të efektit të dëmshëm të përmbajtjeve

Bashkimi Europian i ka kërkuar TikTok të ndryshojë mënyrën se si funksionon faqja e tij e rekomandimeve “For You”, për shkak të shqetësimeve se alg...

3 days më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!