Një udhëtim nga Kanadaja drejt Shqipërisë, gjatë verës së këtij viti, është kthyer në një përballje me drejtësinë për Kristian Gjonin, 34-vjeçarin shqiptar që jeton në Toronto.
Në aeroportin e Rinasit, në një valixhe që iu atribua atij, autoritetet zbuluan 23.15 kilogramë kanabis. Por Gjoni pretendon se nuk kishte dijeni për drogën dhe se është bërë viktimë e një skeme të ndërrimit të etiketave të bagazheve në aeroport.
Sipas raportimit të Daily Mail, Kristian Gjoni kishte udhëtuar drejt Shqipërisë së bashku me bashkëshorten e tij, Adrianën, për të vizituar familjarët. Çifti priste gjithashtu fëmijën e tyre të parë dhe udhëtimi ishte menduar si një vizitë familjare.
Problemet nisën pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit, ku gjatë kontrollit u konstatua se njërit prej katër bagazheve të çiftit i mungonte etiketa identifikuese.
Pas rreth dy orësh e gjysmë pritjeje dhe verifikimesh, Kristianit iu kërkua të shkonte pranë rripit të bagazheve dhe të merrte një valixhe që kishte mbetur aty. Sipas pretendimeve të tij, valixhja nuk ishte e tija dhe ai nuk e kishte parë më parë.
Kur bagazhi u hap nga autoritetet, brenda tij u gjetën 23.15 kilogramë kanabis. Gjoni u arrestua dhe u përball me akuzat për trafik droge.
Dyshimet për një skemë të ndërrimit të bagazheve
34-vjeçari pretendon se është viktimë e një skeme kriminale, përmes së cilës etiketat identifikuese të bagazheve ndërrohen për të transportuar drogë pa dijeninë e udhëtarëve.
Sipas kësaj skeme, etiketa e një pasagjeri mund të hiqet nga valixhja e tij dhe të vendoset në një tjetër bagazh që përmban lëndë narkotike. Në këtë mënyrë, përgjegjësia për transportin e drogës mund të bjerë mbi personin që figuron në etiketë.
Kristian Gjoni thotë se kishte fotografuar bagazhet dhe etiketat e tyre përpara udhëtimit, si masë sigurie. Megjithatë, ai pretendon se kjo nuk e ndihmoi të shmangte arrestimin.
Rrezikon deri në 15 vite burg
Pas arrestimit, Gjoni kaloi katër ditë në paraburgim, përpara se të lirohej me kusht. Më pas ai u kthye në Kanada, por vijon të jetë nën detyrimin për t’u paraqitur periodikisht pranë autoriteteve shqiptare.
Avokati i tij, Ndue Pjetra, po përpiqet të provojë se klienti i tij nuk ka pasur lidhje me drogën e gjetur në valixhe dhe se është viktimë e një skeme të organizuar.
Sipas raportimit të mediave kanadeze, çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë në fillim të vitit 2027. Në rast se shpallet fajtor, 34-vjeçari rrezikon deri në 15 vite burg.












