Dy persona kanë mbetur të plagosur me thikë në Fushë Krujë në dy ngjarje të ndryshme. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se për njërën ngjarje policia ka arrestuar një 49-vjeçar, ndërsa për rastin tjetër janë shpallur në kërkim dy vëllezër.
Ngjarja e parë ka ndodhur në një lokal, ku pas një konflikti të çastit mes dy personave, Aurel Doda është goditur me thikë. Për këtë rast është arrestuar Shkëlqim Curaj, 49 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e konfliktit.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, një tjetër plagosje është regjistruar në afërsi të Urës së Gjolës. Mësohet se konflikti ka nisur pas një përplasjeje mes dy automjeteve, të drejtuara nga Donald Caca dhe Ardjan Xheka.
Debati mes palëve ka agravuar deri në përdorimin e thikës, ku i plagosur ka mbetur Ardjan Xheka, i cili është transportuar drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Donald dhe Halil Caca, të dyshuar si autorë të plagosjes.
Paraprakisht dyshohet se konflikti mes palëve ka qenë i hershëm dhe përplasja e automjeteve ka shërbyer si shkak për përshkallëzimin e tij.








