Banorët e fshatit Rrushkull në Durrës janë ngritur në protestë kundër kushteve të rënda infrastrukturore në zonë. Ata akuzojnë kryebashkiaken Emiriana Sako për papërgjegjshmëri në ndjekjen e punimeve dhe mungesë transparence për cilësinë e investimeve infrastrukturore.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për përmirësimin e rrugëve, sistemimin e kanalizimeve dhe furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa paralajmërojnë se fshati po përballet edhe me një tjetër problem të rëndë: shpopullimin.
“Rrushkulli vijon të jetë fshati më i dënuar në Republikë”, shprehen banorët.
Ata kanë ngritur alarmin për rënien drastike të lindjeve, duke paralajmëruar se brenda 3-4 viteve fshati mund të mos ketë më asnjë fëmijë në klasën e parë, pasi numri i lindjeve po shkon drejt zeros.
Njëri prej banorëve ka denoncuar publikisht gjendjen e infrastrukturës, duke kërkuar që kryetarja e Bashkisë të shkojë në fshat dhe të japë llogari për punimet dhe përdorimin e parave të taksapaguesve.
“Ne nuk na do asnjë. Kryetarja e Bashkisë duhet të vijë këtu. Ka çuar ndërmarrjen të hapë kanalet? Bëje rrugën siç ka qenë ekzistuesja. E prishe, bëj transparencë me popullin. Ky është tenderi, kaq lekë ishte, kjo mbeti. Ta dimë çfarë mbeti.
Këtë pjesë asfalti do ta bëjmë nga këtu atje. Po këtë urën këtu? Jo, nuk do ta bëjmë. Po ujin e pijshëm që e kanë futur bashkë me ujërat e zeza? E kanë bërë skandal. Të lidhen tubat e ujërave të zeza, të korrigjohen ato të ujërave të bardha.
Hajdutët! Edi Rama ta kuptojë tani, ne nuk e luftojmë për Edi Ramën. E luftojmë sepse ka vjedhur paratë e popullit. Ke vjedhur taksat. Ne nuk e kemi... Ta zëmë se me Berishën. Berisha nuk na i ka vjedhur taksat. Ky i ka vjedhur taksat dhe të japë llogari për taksat. Mos dil të bësh dialog me mua. Je hajdut!
Populli është në rrezik të zi. Fshati Rrushkull është më i dënuari në Shqipëri. Kjo rrugë nuk do të bëhet pa ardhur këtu kryetarja e Bashkisë, të bëhet rruga 5 metra. Nëse kjo nuk bëhet, ne do të shkojmë bashkë me djemtë tanë para Kryeministrisë”, deklaroi banori.
Ndërsa një tjetër banor i zonës ngriti alarmin e rënies së numrit të lindjeve për shkak të shpopullimit.
“Për 3-4 vitet e ardhshme këtu nuk do të ketë më fëmijë në klasën e parë, pasi njerëzit kanë ikur dhe numri i lindjeve ka shkuar drejt zeros”,- tha ai.
© SYRI.net