Nga burgu i Fierit, pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, avokati Plarent Ndreca ka pohuar se ende nuk mundet të sigurojë dokumentin që fakton gjendjen shëndetësore të tij, duke e cilësuar këtë situatë absurde.
Ndreca shton se Veliaj vazhdon të jetë në ambientet e spitalit, i izoluar dhe pa komunikim me askënd.
“Vazhdon saga e marrjes së dokumenteve mjekësore për z. Veliaj. Është situatë krejtësisht absurde, e pakuptueshme nga pikëpamja e përgjigjes institucionale është e nivelit shumë të ulët. Që nga e shtuna unë nuk kam marrë një kopje të grafisë dhe rezonancës magnetike që të kem një mundësi ta konsultoj me mjekë specialistë dhe të marrim një vendim mbi ndërhyrjen kirurgjikale. Është një situatë që nuk di t’i jap shpjegim sesi një institucion shtetëror nuk i jep informacion vetë pacientit mbi çfarë doktorët kanë konstatuar. Sot kam marrë një përgjigje që thjesht bën interpretim të rezonancës e grafisë, por nuk japin kopje. Është një persekutim shëndetësor i pakuptueshëm dhe nuk di si do të vijojmë me këtë mënyrë. Unë do të vijoj me kërkesat e mia, por kjo po sjell pasoja përditë që ne nuk dimë si t’i vlerësojmë. Vazhdon të jetë në ambientet e spitalit, i izoluar. Nuk takon askënd, nuk flet me askënd, nuk del me grupe. Kur Veliaj ndodhet në ajrim mbyllen të gjitha qelitë sikur po del një personazh i rrezikshëm shoqëror”, tha Ndreca.
Sa i përket kërkesës për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, Ndreca ka thënë se kjo është një kërkesë legjitime e një anëtari të Partisë Socialiste.
Ndërsa për ngritjen e një komisioni hetimor që Veliaj kërkoi lidhur me pretendimet se kryeministri Rama e ka kërcënuar, Ndreca tha se kontrolli mbi ekzekutivin është detyrim kushtetues i parlamentit.
“Ashtu siç ka trajtuar edhe në kërkesë, është një kërkesë që i është drejtuar kryetarit të grupit të PS për të iniciuar një komision parlamentar për ato që z. Veliaj i konsideron kërcënime të kryeministrit të bëra nga ministri i Drejtësisë. Është një detyrim kushtetues që parlamenti të bëjë kontroll parlamentar mbi ekzekutivin”, u shpreh avokati.
Për deklaratat e anëtarëve të Partisë Socialiste që thanë se vendimi për garantimin e pjesëmarrjes së Veliajt i takon SPAK dhe partia s’do të përzihet në këtë çështje, Ndreca mohoi të jenë qëndrime të vetë selisë rozë.
“Unë nuk di të ketë një qëndrim të Partisë Socialiste në lidhje me çështjen Veliaj, ka thënë Ndreca, por qëndrime individuale. Partia Socialiste është një parti demokratike dhe kolegjiale, ka thënë avokati, dhe nuk mund të them që Partia Socialiste i ka mbyllur derën kryebashkiakut”, tha Ndreca.
-
Merri do lek o Nrec.
Përgjigju









Komente
Komento