Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ka rikthyer përplasjet mes partive në Kuvendin e Kosovës. PDK kërkon miratimin e tij në versionin aktual, me të paktën 61 vota, AAK ka konfirmuar mbështetjen, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kërkon nisjen e një procesi të ri ligjbërës.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, ku po shqyrtohet vendimi i Presidentes për kthimin e ligjit në rishqyrtim, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, bëri të ditur se është arritur dakordim me shumicën parlamentare për ta proceduar ligjin drejt miratimit, por pa ndërhyrë në përmbajtjen e tij në këtë fazë, raporton Kosova Press.
Ajo tha se PDK-ja, si parti sponsorizuese, kishte zhvilluar negociata me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, por palët nuk kishin gjetur gjuhën e përbashkët për amendamentimin e ligjit.
“Gjatë këtyre ditëve, PDK-ja, si parti sponsorizuese e këtij ligji, ka pasur negociata me partinë që e përfaqëson shumicën parlamentare për mënyrën se si ne do ta trajtojmë ligjin në fjalë. Ne jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin”, deklaroi Deliu-Kodra.
Sipas saj, në këto rrethana Kuvendi duhet të votojë tekstin aktual, të kthyer për rishqyrtim nga Presidentja, ndërsa ndryshimet e mundshme të trajtohen përmes një nisme të re ligjore. Për miratimin e tij, ajo tha se nevojiten 61 vota dhe u bëri thirrje deputetëve ta mbështesin.
Në krah të kësaj nisme është pozicionuar edhe AAK-ja. Deputeti Besnik Tahiri deklaroi se partia e tij do ta mbështesë ligjin si në Komisionin për Legjislacion, ashtu edhe në seancën plenare.
Tahiri theksoi se qëndrimi i AAK-së ka qenë i pandryshuar, duke argumentuar se Kosova duhet të marrë sa më shpejt përgjegjësitë e saj për të ndihmuar ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Nga ana tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, kundërshtoi mundësinë e miratimit të të njëjtit version të ligjit. Sipas tij, shqetësimet e ngritura nga vetë sponsorizuesi duhet të adresohen përmes një procesi të ri ligjbërës.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, sqaroi se kthimi i ligjit nga Presidentja nuk nënkupton anulimin e tij, por aktivizon procedurën e posaçme të rishqyrtimit parlamentar.
Ai theksoi se Komisioni duhet të shqyrtojë arsyet e kthimit dhe të përgatisë raportin për seancën plenare, ndërsa vendimi përfundimtar i takon Kuvendit. Qorrolli bëri gjithashtu dallimin mes rikonfirmimit të ligjit të miratuar më parë dhe mundësisë për të bërë ndryshime në tekst, duke nënvizuar se në këtë fazë Kuvendi ka vetëm dy alternativa.

