E enjte, 12 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Lifestyle

Fundi i botës më 13 nëntor? Çfarë pritet të ndodhë nesër dhe çfarë thonë parashikimet

A do të jetë 13 nëntori 2026 dita e fundit e botës? Një studim i publikuar në vitin 1960 nga tre studiues amerikanë ka rikthyer në vëmendje teorinë e ashtuquajtur “Dita e Gjykimit”, sipas së cilës kjo datë do të shënonte një pikë kritike për njerëzimin për shkak të rritjes së popullsisë. Kjo temë u diskutua në emisionin “Mes’ditë” në Vizion Plus, me moderatore Alma Çelaj, ku të ftuar ishin parashikuesja Elena Demollari dhe pastori Akil Pano.

E pyetur se çfarë pritet të ndodhë më 13 nëntor, Demollari u shpreh se nuk ka asnjë arsye për panik. “Dita e nesërme është një ditë e zakonshme si çdo ditë e javës. Nuk do të ndodhë asgjë”, deklaroi ajo, duke shtuar se postimet në rrjetet sociale për përmbysjen e botës po krijojnë shqetësim të panevojshëm. Sipas saj, mund të ketë tronditje në familje, financa dhe politikë, por jo një katastrofë globale.

Nga ana tjetër, pastori Akil Pano shpjegoi se studimi i vitit 1960 ishte ndërtuar mbi përllogaritje matematikore të fizikantit Heinz von Foerster dhe dy kolegëve të tij. Sipas teorisë, rritja e popullsisë do të arrinte më 13 nëntor 2026 një pikë kritike, duke sjellë probleme me burimet jetike si uji dhe ushqimi. Megjithatë, Pano theksoi se parashikimi nuk u vërtetua nga zhvillimet demografike të dekadave të fundit.

“E gjithë historia e këtij studimi për datën 13 nëntor 2026 doli një farsë e madhe”, u shpreh Pano, duke argumentuar se sot bota po përballet me problemin e kundërt, atë të rënies së lindshmërisë dhe plakjes së popullsisë. Ai solli si shembull Kinën dhe vendet europiane, të cilat po përballen me mungesë të lindjeve.

Reklamë

Sipas pastorit, rreziku më i madh sot nuk është mbipopullimi, por “reduktimi maksimal i lindjeve”. Ai bëri thirrje për politika që mbështesin familjen dhe lindshmërinë, duke theksuar se Shqipëria duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj problematike.

Gjatë diskutimit, Pano ngriti gjithashtu shqetësimin për rreziqet gjeopolitike dhe sulmet e mundshme kibernetike, duke përmendur këshillat e disa vendeve perëndimore për mbajtjen e rezervave ushqimore dhe ujit për të paktën 72 orë në rast emergjencash.

Në përfundim, si Demollari, ashtu edhe Pano hodhën poshtë idenë se 13 nëntori do të shënojë fundin e botës, duke e cilësuar studimin e vitit 1960 një parashikim matematikor që nuk u konfirmua nga realiteti.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.