Sandër Kovaçi, kreu i sindikatës së pedagogëve ka komentuar protestat masive në vendin tonë që kanë hyrë në ditën e 165 të tyre, ku studentë dhe qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës.

I ftuar në programin “Minuta e parë”, në News24 me moderatoren Ola Bruko, ai si fillim u ndal te deklarata e ambasadorit të SHBA-ve, i cili theksoi se e ardhmja iu përket të rinjve.

Sipas Kovaçit, Rama duhet të japë dorëheqje, për t’i hapur rrugën qeverisë teknike edhe më pas me ‘pjekje e kushteve’, të shkohet në zgjedhje të lira.

Po ashtu, ai tha se studentët nuk pranojnë dialog, ndërsa shtoi se qeveria ka ndërmarrë 3 nisma antikushtetuese, siç janë gjobat për studentët.

“Është një reagim pozitiv nga ana e Ambasadës Amerikane sot, dhe ambasadori flet nga pozicioni i SHBA-ve, atje ku një person qëndron në pushtet jo më shumë se 8 vite dhe ku ka ndryshime të rëndësishme për kohë të shkurtra në qeverisje. Pa ndryshimin e kryeministrit dhe pa ndryshimin e ligjit elektoral, nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme në Shqipëri.

Çdo masë nga qeveria po gjen kundërpërgjigje nga studentët dhe qytetarët. Masat që ka ndërmarrë qeveria janë të paligjshme dhe besoj se do të rrëzohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha Kovaçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb