Rritja e TVSH-së nga 6 në 10% për industrinë e turizmit ka shkaktuar pakënaqësi te shoqatat që thonë se dëmtohen dhe kërkojnë stimulim nga qeveria.

Në përgjigje të kësaj, ministri Blendi Gonxhja thotë me keqardhje në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv se pikërisht TVSH-ja e ulët nuk solli rezultatet e pritura, për shkak të informalitetit.

“Një politikë e tillë kaq mbështetëse, kaq ndihmuese duhet të ishte shpërblyer për taksapaguesit, për buxhetin e shtetit, formalizimin e ekonomisë, deklarimin e të ardhurave, për atë që është gjithë sektori i turizmit brenda ekonomisë. Jemi të pakënaqur që një masë e tillë nuk ka dhënë rezultatin e avantazhuar. Për shkak të deklarimeve të ulëta që nuk i përgjigjen realitetit, do ta ndajmë me sektorin. Taksat e ulëta do të thonë formalitet i lartë, i plotë, kundërpërgjigje pozitive. Nëse nuk përgjigjemi pozitivisht, s’kemi gojë të flasim. Kemi edhe një problem të madh mentaliteti që nuk duam ta deklarojmë atë që bëjmë, duam ta fshehim xhiron. Flas për atë që do të kishte ardhur në buxhet”, tha Gonxhja.

Duke pranuar se protestat e dhunshme të tetorit kanë dëmtuar turizmin, ministri publikoi për herë të parë edhe disa shifra. Ai shton se zhvillimet dhe pasojat e tyre po ndiqen me kujdes dhe ndryshimet mund të rishikohen nëse ka nevojë.

“Për shkak të situatës së tetorit, për shkak të rënies së ndjeshme të numrit në tetor, me gati 80%, nuk diskutohet që jemi duke e parë me shumë kujdes çdo gjë. Kemi edhe një shifër që na shqetëson. Për shkak të anës së dhunshme të protestave në tetor, kemi një rënie prej 68% të projeksionit të rezervimeve për vitin e ardhshëm. Ne do t’i analizojmë këto ngjarje dhe nëse do të ketë nevojë, do ta rimendojmë”, tha Gonxhja.


Lajmi kryesor:

Thyhet ‘akulli’ me protestuesit? Gonxhja detaje nga takimi: Takova të rinjtë, mbajtëm shënime! Erdhën me dëshirë dhe folën pa kufizime