40 milionë eurot e fiskalizimit, AKSHI rikthen sërish “në lojë” Ermal Beqirin
Partia Demokratike ka ngritur akuza të reja për mënyrën se si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka administruar kontratat për sistemin e fiskalizimit, vlera e të cilave, sipas opozitës, arrin në rreth 40 milionë euro. Në qendër të denoncimit janë procedurat e prokurimit, përsëritja e të njëjtëve operatorë ekonomikë dhe përfshirja në pronësi e personave që janë nën hetim nga SPAK.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se pavarësisht hetimeve që po zhvillohen për AKSHI-n, agjencia ka vijuar me procedura të tjera kontraktore për fiskalizimin, duke përfshirë sërish kompani të njëjta me ato që kanë përfituar kontratat e mëparshme.
Sipas Vangjelit, zinxhiri i kontratave nis në vitin 2018, kur AKSHI i dha një bashkimi operatorësh të përbërë nga Jehona Software, sot Primus Albania, Neos dhe Datech, kontratën me numër 6756, të datës 27 nëntor 2018. Vlera e saj ishte 1.86 miliardë lekë pa TVSH, ose rreth 22 milionë euro me TVSH.
PD ngre pikëpyetje edhe mbi strukturën e pronësisë së kompanisë Primus Albania, e cila zotërohet nga Primus Adriatic. Sipas pretendimeve të paraqitura nga opozita, në pronësinë e kësaj kompanie figurojnë Hrvoje Čabrajić dhe Dinko Novoselec, emra që mediat kroate i kanë lidhur me rrethin politik të presidentit të Kroacisë dhe me marrëdhëniet e tij me kryeministrin Edi Rama gjatë periudhës 2017–2019.
Një tjetër kontratë, sipas deklaratës, u lidh në shkurt të vitit 2023 për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit. Përfitues ishin Primus Albania dhe kompania HORIZON, ndërsa vlera arrinte në rreth 8 milionë euro me TVSH, për një periudhë 24-mujore.
Vangjeli pretendon se gjatë zbatimit të kësaj kontrate, në prill të vitit 2024, HORIZON ndryshoi pronësinë dhe kaloi 100% në emër të Ermal Beqirit, i cili, sipas PD-së, është gjithashtu nën hetim nga SPAK në dosjen që lidhet me AKSHI-n.
Por kontratat nuk janë ndalur me kaq. Në vitin 2026 është lidhur një tjetër marrëveshje për të njëjtin objekt, ku fitues rezultoi bashkimi i operatorëve Primus Albania, Datech dhe ADM. Sipas të dhënave të bëra publike nga PD, oferta fituese ishte 757 milionë lekë pa TVSH, duke arritur në rreth 9 milionë euro dhe përfaqësuar 98% të fondit limit.
KLSH evidentoi 368 problematika në sistemin e fiskalizimit
Përtej pretendimeve mbi procedurat e prokurimit dhe pronësinë e kompanive, opozita ka rikthyer në vëmendje edhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me administrimin financiar dhe funksionimin e sistemit.
Sipas të dhënave të cituara nga Genta Vangjeli, auditimet kanë evidentuar një sërë mangësish që nga faza e financimit të projektit, regjistrimi i kontratës në sistemin e Thesarit dhe administrimi i garancive financiare.
Ndër problematikat e përmendura janë:
- Financimi i projektit përpara dorëzimit të plotë të dokumentacionit të investimit.
- Regjistrimi fillestar në Thesar i kontratës vetëm për 170,025,887 lekë, në vend të vlerës së saj të plotë.
- Pranimi i një garancie me afat vetëm njëvjeçar, ndonëse kontrata kishte kohëzgjatje katërvjeçare.
- Arritja e paradhënies së pambuluar nga garancia në 141,688,239 lekë më 5 dhjetor 2019.
- Kontabilizimi i gabuar i 170,025,887 lekëve si investim kapital, duke ndikuar në pasqyrimin e investimeve për vitin 2018.
Problemet nuk kanë qenë të kufizuara vetëm në aspektin financiar. Sipas auditimit të KLSH-së, gjatë viteve 2021–2022 janë evidentuar 368 problematika në sistemin e fiskalizimit, ndërsa janë konstatuar mangësi në ndjekjen e ankesave dhe dokumentimin e plotë të zgjidhjes së tyre.
Kostoja e mirëmbajtjes u rrit me 57%
Një tjetër pikë e denoncimit lidhet me rritjen e ndjeshme të kostove të mirëmbajtjes së sistemit. Sipas shifrave të referuara nga PD, mirëmbajtja e parashikuar në kontratën e vitit 2018 kishte një vlerë prej 447,016,416 lekësh pa TVSH.
Ndërsa në kontratën e vitit 2023, kjo shumë arriti në 705,428,160 lekë pa TVSH. Diferenca mes dy kontratave është 258,411,744 lekë, çka përfaqëson një rritje prej rreth 57%.
PD ngre kështu pikëpyetjen se çfarë përfituan konkretisht qytetarët dhe bizneset nga miliona euro të shpenzuara për këtë sistem.
Fiskalizimi u konceptua si një instrument për dixhitalizimin e faturave, transmetimin e të dhënave në administratën tatimore, kontrollin e transaksioneve të bizneseve, monitorimin e pagesave dhe reduktimin e informalitetit. Megjithatë, sipas opozitës, problematikat e konstatuara nga auditimet dhe ndërprerjet e aksesit në platformën qendrore të raportuara nga Administrata Tatimore gjatë vitit 2026 ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimit.
Në përfundim, Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të hetojë të gjithë zinxhirin e kontratave, mënyrën e zhvillimit të procedurave, identitetin dhe lidhjet e përfituesve, si dhe përputhjen mes shumave të paguara dhe shërbimeve të marra.
Opozita kërkon që hetimi të shkojë përtej emrave të përfshirë në dosjen e AKSHI-t dhe të përfshijë edhe mënyrën se si janë dhënë dhe administruar kontratat e fiskalizimit, të cilat sipas saj kapin një vlerë totale prej rreth 40 milionë eurosh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



