Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin për strehimin social.
Ibrahimaj tha se rritja e çmimeve të banesave, veçanërisht në zonat qendrore të qyteteve të mëdha dhe kryesisht në Tiranë, e bën të nevojshme krijimin e mekanizmave të rinj për strehimin e përballueshëm.
“Zhvillimi ekonomik dhe faza e zhvillimit ekonomik në të cilën ne ndodhemi sot na lejon që ne të vijojmë të kujdesemi për shtresat në nevojë, por gjithashtu, nisur nga të ardhurat e shtuara, na krijohet hapësira dhe mundësia që të kujdesemi edhe për ato kategori të cilat nuk konsiderohen në nevojë, por të cilat kanë nevojë për një strehim të përballueshëm”, deklaroi Ibrahimaj.
Ibrahimaj bëri të ditur se që prej miratimit të ligjit për strehimin social në vitin 2018, nga programet e subvencionimit të qirasë, kredive të buta, banesave sociale dhe përmirësimit të kushteve të banimit kanë përfituar 31 mijë familje shqiptare, ose rreth 100 mijë qytetarë.
“Mbi 14 mijë familje janë mbështetur për pagesën e qirasë, mbi 7 mijë kanë përfituar kredi të buta, janë ndërtuar më shumë se 1 mijë banesa sociale, ndërsa janë përmirësuar kushtet e banimit për mbi 6 mijë familje të tjera. Vetëm gjatë këtij viti janë hapur 300 kuota për kredi me interes zero për punonjësit e administratës publike, aplikimet për të cilat janë ende në vlerësim. Ndërkohë, 700 qytetarë të tjerë kanë lidhur kontratat e kredisë për blerjen e banesave”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj tha se një tjetër problem që synon të adresojë projektligji është mungesa e kursimeve për parapagimin fillestar që kërkojnë bankat për financimin e një banese.
“Duke mos pasur kursime, i bëhet e pamundur një familjeje shqiptare që të paguajë atë parapagimin që bankat kërkojnë për blerjen e një banese. Për këtë arsye, projektligji parashikon mundësinë që institucionet publike të lidhin marrëveshje me subjekte të tjera për ofrimin e garancive që do të mbulojnë parapagimin fillestar. Për familjet që mund ta shlyejnë kredinë dhe që nuk plotësojnë kërkesat për kontributin fillestar ose kolateralin, kjo garanci mund të lehtësojë marrjen e financimit”, theksoi ajo.
Një risi tjetër e projektligjit është krijimi i Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social, ku do të bashkohen burime nga buxheti i shtetit, kontribute të sektorit privat, të ardhura nga veprimtaria e strehimit dhe burime të tjera të ligjshme.
Sipas Ibrahimajt, fondi do të mundësojë që të ardhurat e krijuara nga projektet e strehimit të riinvestohen në programe të tjera të kësaj fushe.
Ibrahimaj prezantoi edhe një tjetër element të këtij projektligji që është modeli 30-40-30 për zhvillimin e projekteve të banimit, i cili synon integrimin e familjeve me nivele të ndryshme të ardhurash në të njëjtat lagje.
“Duam që familjet që përfitojnë nga strehimi social të jenë pjesë e natyrshme e lagjeve dhe qyteteve tona, me shkolla, me transport, me shërbime dhe me hapësira publike dhe nëpërmjet projektligjit dhe të programit 30-40-30, i cili i referohet ndërtimit të lagjeve në të cilat 30% e lagjeve do t’i dedikohet strehimit social, 40% e lagjeve do t’i dedikohet strehimit të përballueshëm dhe 30% do të jetë për shitje apo për përdorim me qira në tregun e lirë. Ne garantojmë që nuk do të krijohen lagje ku ka vetëm kategori shtresash në nevojë, por këto kategori do të integrohen me të tjerë qytetarë dhe do të bëhen pjesë integrale e qytetit”, vijoi Ibrahimaj.
Deputeti i Partisë Demokratike, Arian Ndoja tha se “jemi përballë një ligji që është hartuar në vitin 2018, kur Partia Socialiste ka qenë në pushtet. Tek pjesa e relacionit se pse duhet ndryshuar ky ligj, nuk është se ka shumë argumente që justifikojnë kaq shumë ndryshime”.
“Banesë e përballueshme është banesa e ofruar me qira ose në pronësi, për shpenzimet e së cilës nuk tejkalohet pragu i përballueshmërisë. Kjo do ta detyronte shtetin që të gjithë studentëve që janë në bachelor apo master t’u paguajë qiranë. Ky është një lajm shumë i mirë, por më duket utopi dhe i parealizueshëm”, tha ai.
Sipas Ndojës, te Paketa Fiskale 2027 hyn edhe rritja e tatimit mbi dividendin për shoqëritë, edhe e tatimit mbi të ardhurat.
“Po t’i shohësh në planin e investimeve, sidomos në njësitë e banimit, duke u shtuar tatimi, efektivisht rritet çmimi i banesave. Akoma pa u nisur ndërtimi, në gropë, ndërtuesit i bie të paguajë edhe një kosto tjetër shumë të rënduar ku secili nga subjektet e fillon me minus 2-3 milionë euro. Ekonomia shqiptare duhet të krijojë mundësinë që të mos ta dëmtojë që në fillim ndërtuesin, duke bërë parapagesë një shumë të jashtëzakonshme”, theksoi Ndoja.
Në përgjigje, Ibrahimaj tha se ky ligj adreson një kërkesë që sot ndërtuesi nuk e merr një leje ndërtimi pa paguar 3% të fondit social në bashki, por përmes një marrëveshje përcaktohet edhe se si do të bëhet pagesa e 3%, qoftë edhe me këste.
“Krijojmë lehtësi, jo barrë”, tha Ibrahimaj.

