Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot vizitoi Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare „Shën Panteleimon“ në Shkup.

Gjatë viteve 2025 dhe 2026, në klinikë janë investuar mbi 40 milionë denarë për modernizimin e pajisjeve dhe për krijimin e kushteve më të mira për pacientët dhe punonjësit.


Siç thonë nga Ministria e Shëndetësisë, vëmendje e veçantë i është kushtuar ordinancës për anestezi të përgjithshme, e cila është rinovuar tërësisht dhe është pajisur me pajisje shtesë. Në këtë ordinancë marrin trajtim profesional personat me aftësi të kufizuara, fëmijët që nuk mund të bashkëpunojnë gjatë trajtimit, si dhe pacientët me dentofobi të theksuar (frikë të theksuar nga trajtimi stomatologjik).

"Mbi 40 milionë denarë të investuar brenda dy viteve përbëjnë një investim të konsiderueshëm në shëndetësinë publike stomatologjike. Ky është rezultat i mbështetjes nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor, por edhe i angazhimit të udhëheqësisë së klinikës. Kur mjetet financiare shpenzohen në mënyrë të dedikuar dhe sipas qëllimit të përcaktuar, kjo reflektohet në çdo ordinancë: përmes pajisjeve më moderne dhe kushteve më të mira për pacientët dhe punonjësit".

"Përkundër faktit se një pjesë e shërbimeve stomatologjike ofrohen edhe nga institucionet private shëndetësore, është e domosdoshme të kemi një sektor publik stomatologjik të fuqishëm, veçanërisht duke pasur parasysh se ky institucion është institucion shëndetësor terciar, ku arsimohen dhe aftësohen stomatologët e ardhshëm", deklaroi ministri Klekovski.

Ai theksoi në veçanti rëndësinë e ordinancës për anestezi të përgjithshme.

"Për një fëmijë me aftësi të kufizuara, edhe ndërhyrja më e thjeshtë stomatologjike shpesh mund të realizohet vetëm nën anestezi të përgjithshme. Për këtë nevojitet një hapësirë e sigurt, pajisje adekuate dhe ekip i trajnuar profesionalisht, të cilat sot janë në dispozicion këtu".

"Kjo dëshmon se edhe me mjete financiare relativisht të kufizuara, të investuara në vendin e duhur, mund të zgjidhen sfida të rëndësishme. Familjet vijnë nga të gjitha pjesët e vendit për të përfituar nga ky trajtim. Prandaj, hapi i ardhshëm duhet të jetë decentralizimi, në mënyrë që ky shërbim të jetë më pranë pacientëve", tha Klekovski.

Drejtoresha e Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare „Shën Panteleimon“, prof. dr. Julijana Nikollovska, theksoi se gjatë çdo procesi të prokurimit, në fokus janë nevojat e pacientëve.

"Brenda vetëm një viti e gjysmë kemi realizuar ndryshime të dukshme. Këtë e kemi arritur falë mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimit Shëndetësor, si dhe përmes menaxhimit të kujdesshëm dhe kursimeve të brendshme. Jemi veçanërisht krenarë për ordinancën për anestezi të përgjithshme, e cila është e vetmja e këtij lloji në vend në nivelin terciar të kujdesit shëndetësor. Synimi ynë është të sigurojmë kujdes shëndetësor stomatologjik të qasshëm, të sigurt dhe dinjitoz për çdo pacient", deklaroi Nikollovska.