Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustrisë, ka ngritur shqetësime lidhur me Paketën Fiskale dhe projektbuxhetin e vitit 2027, duke theksuar se të dy dokumentet nuk janë në përputhje me njëri-tjetrin dhe se parashikimet buxhetore rrezikojnë të rëndojnë barrën fiskale mbi biznesin dhe ekonominë shqiptare.

I ftuar në emisionin Minuta e Parë, Buxhuku bëri të ditur se Konfindustria ka paraqitur problematikat dhe propozimet e saj për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas tij, qëndrimi i Konfindustrisë është që të mos ketë rritje të taksave dhe tatimeve, por të ardhurat në buxhet të sigurohen përmes luftës kundër korrupsionit, kontrabandës dhe informalitetit.

“Ne duam që të mos rriten taksat e tatimet, por të ketë luftë kundër korrupsionit dhe kontrabandës, që paratë të gjenden brenda për brenda sistemit”, deklaroi Buxhuku.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për perspektivën ekonomike të vitit 2027, duke theksuar se vlerësimet e paraqitura për ekonominë shqiptare japin sinjale pesimiste. Sipas kreut të Konfindustrisë, këto pritshmëri duhet të merren në konsideratë gjatë hartimit të politikave fiskale dhe buxhetore.

Një tjetër problematikë e evidentuar nga Buxhuku lidhet me efektin real të uljes së taksave te konsumatorët. Ai shprehu dyshimin se lehtësimet fiskale nuk do të reflektohen domosdoshmërisht në uljen e çmimeve për qytetarët, por mund të përfundojnë në rritjen e fitimeve të tregtarëve.

“Qeveria ul taksën, por kjo nuk shkon në formën e uljes së çmimit për qytetarët, por shkon për fitime më të mëdha për ata që shesin”, u shpreh ai.

Sipas Buxhukut, mungesa e konkurrencës së ndershme dhe prania e karteleve e oligopoleve në sektorë të ndryshëm, përfshirë tregun e karburanteve dhe atë të ushqimeve, krijojnë rrezikun që përfitimet nga lehtësimet fiskale të mos mbërrijnë te konsumatori.

“Kartele dhe oligopole ka edhe në naftë dhe në çmimet e ushqimeve”, theksoi ai, duke paralajmëruar se përfitimet mund të përfundojnë në xhepat e tregtarëve dhe jo të qytetarëve.

Konfindustria kërkon që politika fiskale e vitit 2027 të mos mbështetet në rritjen e taksave, por në luftën kundër korrupsionit dhe kontrabandës, si dhe në krijimin e kushteve që lehtësimet fiskale të reflektohen realisht në ekonomi dhe në çmimet për konsumatorët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb