Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit të Sportit, Blerim Gashani, dhe ministrit të Infrastrukturës, Dimal Basha në Kuvend, lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Rama i ka akuzuar ata se po japin informacione të pavërteta dhe po përpiqen ta zhvendosin përgjegjësinë e Qeverisë për problemet në organizimin e kësaj ngjarjeje sportive.
“Deputeti Basha dhe ministri Gashani po e përdorin foltoren e Kuvendit për me mashtru qytetarët dhe me e fsheh përgjegjësinë e Qeverisë përmes akuzave ndaj meje dhe Kryeqytetit. Letrat me vërejtje nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, drejtuar Qeverisë së Kosovës, dëshmojnë qartë se ku janë problemet dhe kush duhet t’i përmbushë obligimet”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se letrat me vërejtje të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, të drejtuara Qeverisë së Kosovës, dëshmojnë se ku qëndrojnë problemet dhe cilat institucione duhet t’i përmbushin obligimet.
Rama ka theksuar se e mbështet organizimin e Lojërave dhe përfshirjen e qyteteve të tjera të Kosovës, por vetëm në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe Masterplanin e miratuar.
Ai ka sqaruar se Prishtina dhe ai vetë kanë vetëm tri nga 12 votat në Komitetin Organizativ, ndërsa shumicën vendimmarrëse e kanë Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Për këtë arsye, sipas tij, këto institucione duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre.
Rama ka akuzuar Qeverinë se po përpiqet ta ndryshojë Masterplanin e miratuar dhe nuk po i përmbush obligimet financiare ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat, siç ka thënë, vetë Qeveria ka dhënë garanci.
Ai ka paralajmëruar se vonesat në pagesa dhe në realizimin e infrastrukturës, si dhe përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit, po e rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare.
“Rreziku për këtë organizim po vjen nga veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë: • Mospagesa e obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat vetë Qeveria ka dhënë garanci. • Përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit të miratuar. Afatet po mbarojnë. Çdo ditë e humbur e rëndon përgjegjësinë dhe e rrezikon këtë mundësi historike”, ka shkruar ai.
E pranon ministri i Sportit, Gashani: Kemi vështirësi për Lojërat Mesdhetare