Ndërpritet qarkullimi në vendkalimin hekurudhor në Plemetinë më 14 nëntor, komuna tregon rrugët alternative

Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët se të shtunën, më 14 nëntor 2026, do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i të gjitha mjeteve motorike në vendkalimin hekurudhor në Plemetinë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, ndërprerja do të zgjasë nga ora 09:00 deri në orën 20:00, në vendkalimin hekurudhor te kryqëzimi i rrugës Vidovdanska – Plemetinë.
Ky kufizim i qarkullimit vjen si pasojë e punimeve që do të realizohen në kuadër të projektit “Rehabilitimi i Rrugës Hekurudhore 10, Pjesa Jugore (Fushë Kosovë – Mitrovicë)”.
Gjatë kësaj periudhe, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion u është bërë thirrje të shfrytëzojnë rrugët alternative, përkatësisht drejtimet Plemetinë – Milloshevë dhe Plemetinë – Obiliq i Vjetër.
Komuna e Obiliqit ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve deri në përfundimin e punimeve. /Telegrafi/


































