Të shtëna me armë zjarri kanë shkaktuar panik në qendër të Uashingtonit, ku të paktën katër persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi të armatosur në lagjen Logan Circle, rreth 1.6 kilometra larg Shtëpisë së Bardhë.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, një person i armatosur ka qëlluar në drejtim të disa personave, ndërsa policia ka marrë njoftime për të shtëna në pika të ndryshme të kësaj lagjeje.
Menjëherë pas sinjalizimeve, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje, duke nisur një operacion për sigurimin e zonës dhe zbardhjen e rrethanave të incidentit.
Autoritetet u kanë kërkuar banorëve dhe kalimtarëve të shmangin zonën pranë bllokut 1500 të Rrugës së 15-të, ku ndodhen një sërë biznesesh, ndërtesash banimi dhe një kishë.
Për shkak të situatës, një perimetër i gjerë sigurie është vendosur rreth vendit të ngjarjes, ndërsa disa prej rrugëve përreth janë mbyllur përkohësisht për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Në operacion janë përfshirë edhe agjentë të Byrosë Federale të Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF), të cilët po bashkëpunojnë me policinë lokale për mbledhjen e provave dhe identifikimin e autorit.
Deri më tani nuk janë publikuar informacione të hollësishme mbi gjendjen shëndetësore të katër të plagosurve, motivin e sulmit apo identitetin e personit që ka hapur zjarr.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes dhe për të sqaruar nëse të shtënat e raportuara në disa pika të lagjes lidhen me të njëjtin incident.
