Një aksion i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është zhvilluar këtë të enjte në Fier, ku në pranga ka përfunduar drejtori i Spitalit Rajonal, Arben Voja.
Sipas informacioneve paraprake, Voja dyshohet se është përfshirë në tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore, të cilat dyshohet se i janë kaluar një biznesmeni për ndërtimin e një impianti fotovoltaik.
Hetimi lidhet me periudhën kur Arben Voja mbante detyrën e drejtorit të Kadastrës së Fierit.
Në kuadër të së njëjtës çështje, raportohet se janë arrestuar edhe një ish-jurist i Kadastrës, një hartografe dhe një notere. Ndërkohë, në pyetje po merren edhe punonjës të tjerë të institucionit.
Sipas raportimeve, Arben Voja ndodhet në ambientet e Policisë së Fierit, ku po merret në pyetje nga dy prokurorë të SPAK.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht mënyrën e tjetërsimit të pronës shtetërore, procedurat e ndjekura dhe përgjegjësinë e personave të dyshuar në këtë çështje.

