Të lindësh “me këmishë”/ Kapi një peshk dhe fitoi 1 milion dollarë, historia e pabesueshme e 26-vjeçarit Një prej diamanteve më të rrallë në botë, i njohur si “Bulgari Pink”, është shitur për 14.8 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga shtëpia prestigjioze Christie’s në Gjenevë të Zvicrës.
Diamanti rozë, me peshë 24 karatësh, u shit për 12.086 milionë franga zvicerane, duke tërhequr interesin e koleksionistëve ndërkombëtarë. Guri i çmuar ka një ngjyrë të rrallë të klasifikimit “Fancy Intense Pink” dhe është i prerë në formë smeraldi. Ai konsiderohet veçanërisht i rrallë edhe për shkak të pastërtisë së tij, pasi i përket kategorisë së diamanteve Type IIa, ku përfshihet më pak se 2% e diamanteve me cilësi të çmuar.
Historia e tij nis në vitet 1950, kur stërgjyshërit e familjes që e zotëronte e blenë gurin në Indi. Më pas, diamanti u dërgua në atelietë e Bulgari-t në Romë, ku u vendos në një unazë të veçantë. Për më shumë se shtatë dekada, bizhuteria qëndroi në pronësi të së njëjtës familje aristokrate evropiane dhe nuk ishte shfaqur në tregun e ankandeve.
Para shitjes, Max Fawcett, drejtuesi global i departamentit të bizhuterive në Christie’s, e cilësoi atë si “Mona Lisa-n e diamanteve rozë”. Diamantet e rajonit Golconda në Indinë jugore janë ndër më të famshmit në botë. Nga kjo zonë kanë origjinën edhe gurë të tjerë historikë, si Koh-i-Noor dhe Hope Diamond. Në të njëjtin ankand u shit edhe një koleksion privat me afro 300 bizhuteri të shekullit XX, ku përfshiheshin krijime nga shtëpitë e njohura Bulgari, Cartier dhe Graff.
Top Channel