Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës, nis procesi i ekzaminimit dhe identifikimit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës, nis procesi i ekzaminimit dhe identifikimit

    Insajderi
    12 November 2026 - 16:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar për gjetjen e mbetjeve mortore në një lokacion të dyshuar në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës.

    Gjetja është bërë të enjten, më 12 nëntor 2026, gjatë vazhdimit të aktiviteteve të kërkimit dhe gërmimeve vlerësuese në këtë lokacion.

    Kërkimet në këtë zonë kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor. Megjithatë, gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite dhe që kishin vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.

    Sipas njoftimit, mbetjet mortore të gjetura do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejshme të ekzaminimit mjekoligjor dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së.

    Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte.

    Sipas Komisionit, kërkimet janë zhvilluar bazuar në informacionet e siguruara për këtë lokacion.

    Trajtimi i këtij lokacioni është rezultat edhe i bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të përbashkëta për adresimin e rasteve me interes të përbashkët. Në këtë kuadër, janë zhvilluar komunikime me Drejtorinë e Republikës së Kroacisë për Personat e Zhdukur gjatë Luftës Atdhetare.

    Po ashtu, Komisioni ka theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me familjet e personave të zhdukur me dhunë, Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe qytetarët që kanë dhënë informacione të rëndësishme për identifikimin dhe trajtimin e këtij lokacioni.

    Në fund, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shprehur mirënjohje për kontributin dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të përfshirë në këtë proces.

    Ky institucion ka ritheksuar përkushtimin për vazhdimin e përpjekjeve për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark