Të shtëna me armë në Uashington, një person humb jetën dhe katër të tjerë plagosen Irlanda po organizon samitin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin, në atë që konsiderohet operacioni më i madh diplomatik në historinë e vendit.
Kryeministri irlandez, Micheál Martin, mirëpriti mbi 50 liderë nga vende të BE-së dhe jashtë saj, mes tyre presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrin kanadez Mark Carney dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Samiti zhvillohet në kuadër të presidencës irlandeze të BE-së dhe shoqërohet me masa të jashtëzakonshme sigurie, kufizime të trafikut dhe angazhimin e më shumë se 15 mijë turneve 12-orëshe të policisë brenda 72 orëve. Masat janë forcuar edhe pas kërcënimeve dhe alarmeve për bomba ndaj disa mediave irlandeze dhe kompanive ajrore.
Ekzistojnë dyshime se këto incidente mund të jenë pjesë e luftës hibride të Rusisë kundër vendeve evropiane që mbështesin Ukrainën. Por presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi kujdes, përpara se gishti i fajtit të drejtohet ndaj dikujt në vecanti.
“Dëshiroj të shpreh shqetësimin tonë të thellë për këtë valë alarmesh për bomba dhe kërcënimesh të tjera. Për këtë arsye, po e ndjekim situatën me vigjilencë maksimale. Në këtë moment, megjithatë, nuk disponojmë informacione mjaftueshëm të besueshme për të përcaktuar se kush qëndron pas këtyre kërcënimeve. Prandaj, përgjigjja është se, në këtë fazë, nuk mund të themi se pas këtyre telefonatave qëndrojnë fuqi të huaja”, është shprehur Macron.
Lufta në Ukrainë është një nga cështjet që dominojë samitin. Presidenti Zelensky informoi liderët për bisedimet e fundit të paqes në Abu Dhabi, ku morën pjesë delegacione amerikane, ruse, evropiane dhe ukrainase. Deri tani, rezultati konkret kryesor duket të jetë një marrëveshje për shkëmbimin e një numri të madh të burgosurish, pa ndonjë përparim të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës. Zelensky theksoi se perspektiva e paqes varet kryesisht nga gatishmëria e presidentit Trump për të ushtruar presion ndaj Rusisë.
Samiti synon gjithashtu forcimin e bashkëpunimit europian për çështje si siguria ekonomike, konkurrueshmëria, inteligjenca artificiale, kostot e larta të energjisë dhe mbrojtja. Një tjetër temë kryesore është forcimi i qëndrueshmërisë demokratike dhe luftimi i ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve në disa vende europiane.
Komuniteti Politik Evropian, i krijuar me nismën e presidentit francez Emmanuel Macron pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, bashkon vendet anëtare dhe joanëtare të BE-së për diskutime mbi sfidat e përbashkëta politike, të sigurisë dhe energjisë. Ndryshe nga samitet formale të BE-së, keto samite nuk prodhojnë deklarata apo plane veprimi detyruese, por synojnë dialogun e drejtpërdrejtë dhe takimet dypalëshe mes liderëve.
Top Channel