Aktori dhe komediani amerikan Anthony Clark, i njohur për rolin e Greg Warner në serialin e famshëm “Yes, Dear”, ka ndërruar jetë në moshën 62-vjeçare.
Clark vdiq më 10 nëntor, ndërsa lajmi u bë publik një ditë më vonë nga kolegu dhe miku i tij, aktori Mike O’Malley, i cili e kujtoi me fjalë emocionuese.
Në një postim në rrjetet sociale, O’Malley tregoi se e kishte njohur Clarkun që në vitet ’90, përpara se të bëheshin kolegë në serialin “Yes, Dear”. Ai e përshkroi si një komedian të veçantë, që arrinte t’i bënte të gjithë të qeshnin.
Aktori zbuloi gjithashtu se kishin folur për herë të fundit në telefon rreth tri javë përpara vdekjes së tij. Edhe në atë bisedë, Clark kishte arritur t’i bënte të qeshnin, një kujtim që tashmë merr një domethënie të veçantë për mikun e tij.
Anthony Clark e nisi karrierën në stand-up komedi, duke u bërë i njohur fillimisht në skenën e Bostonit. Më pas interpretoi në serialin “Boston Common”, ndërsa famën më të madhe e fitoi me “Yes, Dear”, ku luajti për gjashtë sezone, nga viti 2000 deri në vitin 2006.
Ai drejtoi gjithashtu sezonin e katërt të emisionit “Last Comic Standing” në vitin 2006.
Pas lajmit për vdekjen e tij, homazhe kanë bërë edhe komediani Nick Swardson, menaxheri Barry Katz dhe krijuesi i “Yes, Dear”, Greg Garcia.
Sipas raportimeve të “Deadline”, Clark ndërroi jetë nga komplikime të lidhura me pneumoninë, megjithëse nuk është bërë publik një deklarim zyrtar nga familja për shkakun e vdekjes.










