Prokuroria e Posaçme ka zbarkuar këtë të enjte në Spitalin Rajonal të Fierit. Drejtori i këtij spiali, Arben Voja është shoqëruar në ambientet e drejtorisë vendore të policisë, ku u mor në pyetje nga dy prokurorë dhe një oficer i policisë gjyqësore. Në lidhje me ndalimin e Vojës nuk ka asnjë informacion paraprak, por dyshohet se ai është marrë në pyetje jo për funksionin e tij si drejtues i Spitalit Rajonal të Fierit, por për detyrën që ka mbajtur në krye të kadastrës në këtë qytet. SPAK ka nisur një hetim nën dyshimet e shpërdorimit të detyrës, tjetërsimit të pronave dhe korrupsionit. Burime pohojnë se bëhet fjalë për disa konflikte pronësie të lindura prej mbivendosjes së titujve dhe tjetërsimit të hartave në Kadastrën e Fierit. Në lidhje me këtë rast, pritet njoftimi zyrtar nga SPAK për të zbardhur më shumë detaje dhe arsyet e marrjes në pyetje të Arben Vojës.