Shqipëria luan një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, teksa pret Finlandën në Tiranë, në duelin e parafundit të Grupit C1. Për kuqezinjtë, fitorja është jetike për të ruajtur vendin e parë në renditje dhe për të hedhur një hap të madh drejt ngjitjes në Ligën B.
Kombëtarja shqiptare ka fituar tri nga katër ndeshjet e para të këtij edicioni, ndërsa humbja e vetme ishte pikërisht ndaj Finlandës, me rezultatin 2-1 në transfertë. Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran ka reaguar mirë pas rënies nga Liga B në edicionin e kaluar dhe tashmë e ka fatin në duart e saj. Megjithatë, gara mbetet e hapur, pasi edhe Bjellorusia dhe Finlanda kanë ende mundësi të kalojnë Shqipërinë në renditje.
Një fitore në Tiranë do të ishte një hap vendimtar për objektivin e rikthimit në Ligën B. Kuqezinjtë kanë fituar të dyja ndeshjet e mëparshme në shtëpi në këtë kompeticion, por duhet të tregojnë kujdes, pasi në takimin e fundit ndaj San Marinos siguruan triumfin vetëm në minutën e 93-të.
Finlanda vjen pas humbjes 1-0 ndaj Bjellorusisë dhe renditet në vendin e tretë. Për të mbajtur gjallë shpresat e ngjitjes, finlandezët kanë nevojë për rezultat pozitiv në Tiranë, veçanërisht pasi Bjellorusia përballet me San Marinon në këtë raund.
Historia e përballjeve direkte favorizon Finlandën, e cila nuk ka humbur në pesë ndeshjet e fundit ndaj Shqipërisë, duke regjistruar katër fitore dhe një barazim. Megjithatë, dy fitoret e mëparshme të kuqezinjve ndaj këtij kundërshtari janë arritur në fushën e tyre.
Një nga lojtarët kryesorë për Shqipërinë pritet të jetë Kristjan Asllani, i cili ka realizuar tre gola dhe ka dhënë një asist në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Ndërkohë, Etrit Berisha rikthehet në dispozicion pas pezullimit në ndeshjen e parë, ndërsa Finlanda do të jetë pa Kaan Kairinen, i skualifikuar për shkak të kartonëve.
Për Shqipërinë nuk ka vend për lëshime: tri pikët janë objektivi kryesor për të ruajtur kreun e grupit dhe për t'iu afruar rikthimit mes skuadrave të Ligës B.
© SYRI.net
Bayerni piketon shqiptarin që zgjodhi Gjermaninë, shihet si një alternativë për sulmin
Inter Campus ndahet nga Interi pas 30 vitesh, familja Moratti krijon fondacionin e ri
Itali-Francë, përballje për kreun e grupit, ‘Axurrët’ kërkojnë të thyejnë mallkimin në shtëpiBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: