Ish-sulmuesi brazilian, Mario Jardel, ka rrëfyer periudhën më të errët të jetës së tij, duke zbuluar varësinë nga alkooli dhe kokaina, një mbidozë që për pak i kushtoi jetën dhe eksperiencën e hidhur në futbollin italian me fanellën e Anconës.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ish-bomberi, i cili shkëlqeu me Porton dhe Sporting Lisbonën dhe fitoi dy herë Këpucën e Artë, tregoi se rënia e tij nisi pas zhgënjimit të madh të vitit 2002, kur nuk u grumbullua nga Brazili për Kupën e Botës, pavarësisht se kishte realizuar 55 gola në 42 ndeshje gjatë sezonit të mëparshëm.
Ky vendim ndikoi rëndë në gjendjen e tij psikologjike, ndërsa problemet familjare dhe divorci e përkeqësuan situatën.
“U futa në depresion dhe fillova të pija në mënyrë të tepruar. Të luaja në Kupën e Botës ishte ëndrra e jetës sime”, rrëfeu Jardel.
Situata u bë edhe më dramatike në verën e vitit 2003, kur braziliani nisi të konsumonte kokainë. Në atë periudhë ai ishte pjesë e Sportingut, ku kishte edhe një të ri Cristiano Ronaldo si shok skuadre.
“Provova kokainën. Më pëlqente, sepse më bënte të ndihesha gjallë dhe jo i dëshpëruar. Një herë qëndrova pa gjumë për një javë të tërë. Më pas pata një mbidozë dhe për pak vdiqa. Një mik që ishte me mua më shpëtoi jetën. Aty preka fundin”, tregoi ish-sulmuesi.
Shpëtimi erdhi përmes ndihmës psikiatrike dhe mbështetjes së bashkëshortes së tij të dytë, Sandra, të cilën e cilëson si personin që e ndihmoi të rifitonte kuptimin e jetës.
Jardel foli edhe për eksperiencën e tij në Itali me Ancona-n, ku mbërriti në moshën 31-vjeçare, pas largimit nga Boltoni. Në atë kohë ishte jashtë forme dhe mbipeshë, ndërsa transferimi u realizua me ndërmjetësimin e Jorge Mendes.
Megjithatë, aventura në Serinë A rezultoi një dështim i plotë.
“Kam vetëm kujtime të këqija. Nuk u pagova për gjashtë muaj dhe luajta vetëm tri ndeshje”, deklaroi Jardel.
Pas një karriere të shënuar nga suksese të mëdha, por edhe nga probleme personale, braziliani e mbylli rrugëtimin e tij futbollistik duke luajtur në tetë vende të ndryshme.
© SYRI.net
Bayerni piketon shqiptarin që zgjodhi Gjermaninë, shihet si një alternativë për sulmin
Inter Campus ndahet nga Interi pas 30 vitesh, familja Moratti krijon fondacionin e ri
Itali-Francë, përballje për kreun e grupit, ‘Axurrët’ kërkojnë të thyejnë mallkimin në shtëpiBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: