“Teatri, pjesa kryesore e jetës time”, Jozef Shiroka flet për pasionin e aktrimit dhe shfaqjet që ka performuar në Europë
Jozef Shiroka, është një nga aktorët më të njohur në vend i cili prej vitesh punon në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Është një aktor me profil të spikatur që në rolet e para. Mjafton të kujtojmë filmin shqiptaro-serb “Honeymoons” që u prodhua në 2009-n (fitues i disa çmimeve ndërkombëtare), por edhe disa premiera të tjera si drama “Reigen” vepër e autorit austriak Arthur Schnitzler apo dramat shqiptare “Birrë, gozhdë dhe sapun” e “Putargat e thata” të Stefan Çapalikut.
Jozef Shiroka ishte i ftuar në emisionin “Takohemi n’Vizion” me Fjodora Fjorën, ku rrëfeu jetën e tij artistike dhe pasionin për teatrin dhe skenën.
“Të flasësh për vete është e vështirë. Sepse të flasësh për veten, duhet ta njohësh veten dhe kjo ështrë e vështirë. Unë jam punëtor. Nuk më pëlqen të kaloj kohën kot apo me njerëz që nuk më pëlqejnë. Puna ësh të ajo që më karakterizon dhe ajo që më ka sjellë deri këtu. Kam pasur shumë zhgënjime e “disfata” por ka qenë ajo që më ka mbajtur.
Teatri është pjesë kryesore e jetës. Do isha i gatshëm të provoja çdo gjë në jetë sepse jeta është shumë e bukur dhe kurioze”, tha Shiroka.
Aktori tha se pasioni i tij u shfaq në vitin e 3 të gjimnazit dhe që prej asaj kohe, nuk ka menduar më për asnjë profesion tjetër.
“Dëshira për aktor më ka filluar nga viti i 3 i shkollës së mesme dhe që atëhere nuk kam pasur asnjë pasion tjetër. Roli i parë ka qenë 5-6 vjeç për Krishtlindjen që e recitoja para familjes, por gjithmonë e ngatërroja. Më pas ishin me grupet e vogla që krijoheshin në atë kohë. Më pas ajo që më shenjoj ishin teatrot e shkollave të mesme”, tha ai.
Shiroka tha se Hamletin nuk e ka interpretuar asnjë herë dhe nuk e ka për qëllim.
“Hamletin nuk e kam interpretuar dhe nuk e di a do e interpretoj ndonjë herë. Nuk është në ëndrrat e mia të jetës. Ëndërr kam rol tjetër, Shekspir është. Çdo rol unë e ndërtoj dhe e punoj sikur të ishte roli vendimtar. Publiku meriton të shoh më të mirën time”, tha ai.
Por Shiroka shton se për artistët e rinj duhet më shumë mbështetje.
“Artistët shqiptarë që njihen në botë nuk janë të shumtë. Ne kemi artistë të mrekullueshëm që do e meritonin Europën, por jeta këtu është aq e varfër artistikisht sa nuk ja u ka dhënë mundësinë të dalin jashtë. Braktisjen e këtij profesioni do e bëja kur nuk do merrja më asnjë gjë, asnjë emocion, asnjë reagim”.
Por si ra Jozef Shiroka në sy të regjisorëve të huaj?
“Fati më ka trokitur në derë. Aktori duhet të jetë gati se nuk e di cili është audicioni i radhës. Të gjithë aktorët e rinjtë cilët duan dhe aspirojnë, nuk duhet të lënë tu ikë asnjë audicion. Audicioni është një mundësi për tu shfaqur. Kur je i talentuar, edhe zoti nuk ka fuqi të të ndalojë.
Shfaqja “Vizita” është një eveniment. U bënë 4 vite dhe po qëndron akoma në këmbë. Kemi qenë në gjithë Italinë. Kjo ka ardhur falë distribuimit që na ka bërë teatri i Sardenjës. Kjo është një krenari shqiptare. Është gjë e madhe që fjala shqip të dëgjohet në Europë. Në këtë shfaqe jam aktor, përkthyer, të gjitha i kam bërë. Duhen bashkëpunime me jashtë. Të hapemi. Nuk duhet të jemi të ngrurtë dhe inferior. Teatri shqiptar pëlqehet në Europë. U pëlqen gjuha, e thonë që është shumë teatrale”, tha Shiroka.




