Pas takimeve në Abu Dabi, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë u zhvendosën në Moskë, ku Kremlini u bë skena e një tjetër raundi negociatash mes përfaqësuesve amerikanë dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Të dërguarit specialë të Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u pritën nga kreu i Kremlinit, me të cilin diskutuan mundësitë për një marrëveshje që do t’i japë fund konfliktit. Në tryezën e bisedimeve, çështja më e ndërlikuar mbetet territori, për të cilin Moska duket se nuk ka ndërmend të bëjë lëshime.
Putin e bëri të qartë se për Rusinë nuk ka vend për interpretime të ndërmjetme sa i përket kufijve. “Sa i përket qëndrueshmërisë, përsosmërisë dhe besueshmërisë së paqes, edhe ne do të dëshironim që kjo paqe të ishte e përjetshme. E dimë se të dyja palët, Rusia dhe Ukraina, kanë qëndrime të ndryshme për çështjen e territoreve. E dimë se pala ukrainase ngre çështjen e të ashtuquajturave ‘zona gri’. Dhe kjo, siç e kam thënë tashmë, do të mbetet gjithmonë një pikë mosmarrëveshjeje. Për ne ekziston vetëm një vijë demarkacioni: kufiri shtetëror”, deklaroi Putin.
Një qëndrim që nënkupton se Moska kërkon njohjen e pretendimeve të saj territoriale, duke përfshirë edhe rajonet ukrainase që ka pushtuar dhe aneksuar në mënyrë të paligjshme. Por përplasja diplomatike nuk kufizohet vetëm te territoret. Një tjetër pikë e nxehtë është prania e mundshme e trupave europiane në Ukrainë pas përfundimit të luftës. Putin paralajmëroi se një skenar i tillë do të konsiderohej kërcënim nga Rusia. “Çfarë dëgjojmë prej europianëve? Se sapo të nënshkruhet një marrëveshje paqeje, ata do të vendosin menjëherë trupa në Ukrainë. Ne kemi folur tashmë për këtë: ky është një objektiv legjitim për ne, kështu që lufta do të rifillojë menjëherë. Ne do të donim shumë që ju, zotërinj të nderuar, dhe administrata amerikane në tërësi të punoni me aleatët tuaj europianë në mënyrë që ata më në fund të vendosin nëse duan paqe apo luftë në Ukrainë”, u shpreh presidenti rus.
Nga ana amerikane, mesazhi është se procesi diplomatik vijon dhe se hapi i radhës do të jetë konsultimi me Kievin. Steve Witkoff bëri të ditur se pas takimit në Moskë, delegacioni amerikan do të udhëtojë drejt Irlandës, ku pritet të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. “Do të udhëtojmë direkt nga këtu pas këtij takimi për në Irlandë, ku do të takohemi me Presidentin Zelenskiy para se të kthehet në shtëpi. Do të këshillohemi dhe do ta njoftojmë me gjithçka që po ndodh. Dhe shpresojmë se mund të lajmërojmë së shpejti, ndoshta edhe në fund të këtij turi, takimin e ardhshëm trepalësh që do të përfshijë europianët”, deklaroi Witkoff.
Edhe Jared Kushner nënvizoi se një marrëveshje nuk mund të kufizohet vetëm në ndalimin e luftimeve, por duhet të garantojë siguri afatgjatë për të gjitha palët. “Europianët kanë dëshirë që kjo luftë të jetë vërtet fundi dhe që të ketë paqe të gjatë pas saj. Dhe të kuptuarit e sigurisë afatgjatë midis Rusisë, Ukrainës dhe Europës është një bisedë që filluam të zhvillojmë me ta”, tha Kushner. Pavarësisht toneve të ashpra për çështjen territoriale dhe praninë ushtarake europiane, si pala amerikane, ashtu edhe ajo ruse, e vlerësuan pozitivisht ecurinë e negociatave dyditore mes Kievit dhe Moskës në Abu Dabi.
