Pentagoni mbështet rojen ushtarake që qortoi Sekretarin Pete Hegseth në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit
Pentagoni ka shprehur mbështetjen e tij për një roje të Ushtrisë Amerikane, i cili i tërhoqi vërejtjen një grupi vizitorësh, ku përfshihej edhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për thyerjen e rregullave të heshtjes në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.
Incidenti ndodhi të mërkurën gjatë ceremonive përkujtimore të Ditës së Veteranëve. Pamjet filmike të publikuara nga eventi tregojnë Hegsethin, bashkëshorten e tij dhe këshilltarë të lartë duke biseduar dhe duke qeshur ndërsa pozonin për fotografi pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur. Në atë moment, roja i ushtrisë në detyrë u afrua drejt grupit dhe u kujtoi me zë të lartë rregullat e vendit: “Të gjithë vizitorët duhet të ruajnë një atmosferë heshtjeje dhe respekti në çdo kohë”.
Në një reagim zyrtar lidhur me ngjarjen, zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, vlerësoi veprimin e ushtarit si të drejtë dhe konform rregullores.
“Ndërsa përkujtonte këtë ditë solemne, një ushtar me korrektësi dhe respekt u kujtoi të gjithëve të ruanin etikën”, deklaroi Parnell, duke shtuar se “Sekretari dhe i gjithë Departamenti gjithmonë i kanë nderuar – dhe gjithmonë do t’i nderojnë – sakrificat që burrat dhe gratë tona ushtarake kanë bërë për ta mbajtur Amerikën të sigurt”.
Varri i Ushtarit të Panjohur konsiderohet një nga memorialet më të shenjta ushtarake në Shtetet e Bashkuara dhe shënon vendin e prehjes së një ushtari të paidentifikuar të vrarë në Luftën e Parë Botërore. Prej vitit 1948, pjesëtarët e Regjimentit të 3-të të Këmbësorisë ruajnë memorialin 24 orë në ditë. Sipas protokollit të varrezave, vizitorët janë të detyruar të ruajnë qetësinë dhe sjelljen solemne, dhe siç raporton CBS News, nuk është e pazakontë që rojet t’u tërheqin vëmendjen vizitorëve disa herë në ditë.
Më herët gjatë së njëjtës ditë, në ceremoninë vjetore të vendosjes së kurorave morën pjesë edhe Presidenti Donald Trump, Zëvendëspresidenti JD Vance dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Gjatë fjalimit të tij, Presidenti Trump nderoi sakrificën e ushtarakëve dhe vlerësoi veprimet e administratës së tij në konfliktin me Iranin.
“Nën këtë administratë, dhe ishte koha, dikush luftoi kundër. Të gjithë ne luftuam kundër. Dhe ne fituam”, u shpreh Trump, duke shtuar se synimi mbetet “një fitore e plotë, jo një fitore prej 93%”.
Presidenti Trump shfrytëzoi rastin edhe për të vlerësuar punën e Hegsethit në krye të Pentagonit, duke e cilësuar si një “punë fantastike”. Mbështetja e presidentit vjen vetëm një ditë pasi në Kongres dështoi një nismë e ligjvënësve demokratë për shkarkimin e Hegsethit, i cili akuzohej për ndërmarrjen e operacioneve ushtarake ndaj Iranit pa autorizimin paraprak të Kongresit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




