Policia Rrugore e Korçës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur edhe pajisje inteligjente për monitorimin e trafikut dhe evidentimin e shkeljeve të Kodit Rrugor.
Bilanci i kontrolleve gjatë një jave tregon për 4 drejtues automjetesh të arrestuar. Tre prej tyre janë kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ndërsa një tjetër pa leje drejtimi. Gjithashtu, dy shtetas janë proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në fokus të kontrolleve ka qenë edhe evidentimi i automjeteve me detyrime të papaguara. Nga 785 mjete të kontrolluara, 85 rezultuan debitore, ndërsa sipas Policisë, drejtuesit e tyre kanë shlyer detyrimet pas konstatimit.
Gjatë së njëjtës periudhë janë vendosur gjithsej 1148 masa administrative për shkelje të ndryshme. Numri më i lartë i gjobave lidhet me parakalimet e gabuara, me 256 raste, dhe ndalimin e gabuar të automjeteve, me 243 raste. Ndërkohë, 56 drejtues janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve në vijat e bardha dhe 51 për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Kontrollet kanë evidentuar gjithashtu shkelje të tjera, si drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, mosvendosja e kaskës mbrojtëse dhe qarkullimi me xhama të errësuar. Pjesa tjetër e masave administrative, 513 në total, lidhet me shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut Korçë, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve. Njëkohësisht, u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë. (










