Emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur mëngjesin e së enjtes në Moskë, ku do të zhvillojnë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin.
Në fokus të takimit është përpjekja e Uashingtonit për të marrë miratimin e Kremlinit për përfshirjen e përfaqësuesve europianë në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, përcjell Euronews.
Vizita vjen pas dy ditësh bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dhabi, të cilat përfunduan pa një përparim konkret drejt marrëveshjes së paqes.
I dërguari i posaçëm i Putinit, Kirill Dmitriev, konfirmoi mbërritjen e delegacionit amerikan përmes një postimi në platformën X, ku publikoi edhe pamje nga aeroporti Vnukovo i Moskës.
Negociatat e zhvilluara më 10 dhe 11 nëntor prodhuan një marrëveshje paraprake për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve të luftës, por nuk arritën të zgjidhnin mosmarrëveshjet kryesore për çështjen territoriale, garancitë e sigurisë pas luftës dhe rolin e Europës në proces.
Jared Kushner deklaroi se takimi me Putinin do të përqendrohet te rezultatet e bisedimeve në Abu Dhabi dhe te kërkesa për miratimin e Moskës për përfshirjen e përfaqësuesve europianë në negociata.
“Ne shohim disa mundësi dhe hapësira për përparim”, u tha Kushner gazetarëve, duke shtuar se pas takimit në Moskë, ai dhe Witkoff do të udhëtojnë drejt Dublinit për të informuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Ne i kemi përcjellë drejtpërdrejt presidentit Putin disa herë, si dhe ekipit të tij, se e vetmja mënyrë për ta arritur këtë marrëveshje është që ata të jenë në krahun tonë. Mendoj se janë të hapur ndaj kësaj mundësie. Shpresoj që nesër në Moskë, Steve dhe unë të kemi sukses dhe presidenti Putin të japë miratimin për këtë”, deklaroi ai.
Për Steve Witkoff, i cili fillimisht drejtoi negociatat e administratës Trump me Rusinë për Ukrainën, kjo është vizita e dhjetë në Rusi që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në janar të vitit 2025.
Moska këmbëngul në kushtet e saj
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Putin fillimisht do të marrë një raport nga delegacioni rus për bisedimet në Abu Dhabi dhe më pas do të dëgjojë vlerësimin e emisarëve amerikanë.
Sipas Lavrovit, presidenti rus do të vendosë më pas hapat e ardhshëm të Moskës në negociata. Ai theksoi se qëndrimi i Rusisë do të mbetet i përqendruar në realizimin e objektivave të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Edhe më i drejtpërdrejtë ishte ndihmësi i Kremlinit, Vladimir Medinsky, i cili drejtoi delegacionin rus në Abu Dhabi. Ai deklaroi se Moska do të ishte e kënaqur vetëm pasi të siguronte fitoren dhe të arrihej një marrëveshje sipas kushteve të saj, çka në thelb do të nënkuptonte kapitullimin e Ukrainës.
Medinsky hodhi poshtë gjithashtu mundësinë e përfshirjes së menjëhershme të Europës në negociata.
“Kur ata (europianët) të zhvillojnë ndërgjegjen, do të mund të marrin pjesë në negociatat e paqes”, u tha ai gazetarëve pas bisedimeve në Abu Dhabi.
Deri atëherë, ai pretendoi se vendet europiane janë bashkëpërgjegjëse për atë që e cilësoi si “mashtrim kolektiv të popullit ukrainas” dhe për vdekjen e civilëve.
Deklaratat e përfaqësuesve rusë tregojnë se Moska vijon të mbajë kërkesa të gjera dhe nuk ka sinjalizuar gatishmëri për kompromis, pavarësisht përpjekjeve të reja diplomatike të SHBA-së.
Bisedimet në Abu Dhabi pa zgjidhje për çështjet kryesore
Negociatat në Emiratet e Bashkuara Arabe shënuan raundin e parë të bisedimeve trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së, të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, pas nëntë muajsh.
Kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, tha se diskutimet përfshinë hapat drejt një marrëveshjeje më të gjerë paqeje dhe rindërtimin e vendit pas luftës.
“Hapi i parë është t’i jepet fund luftës dhe të garantohen garancitë e sigurisë për Ukrainën”, shkroi Umerov në platformën X.
Jared Kushner pranoi se mes palëve vijojnë të ekzistojnë dallime të konsiderueshme, por tha se gjatë diskutimeve u identifikuan disa fusha ku mund të gjendet kompromis.
“Në disa fusha shohim mundësi për të gjetur kompromise, ndërsa për të tjera na duhen më shumë diskutime. Por mendoj se ky ishte një hap i parë i mirë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Dublin për takime me liderët europianë, shprehu shpresën që emisarët amerikanë të kthehen nga Moska me propozime konkrete.
“Ajo që ka rëndësi është se amerikanët shkuan te Putini me çështje konkrete. Do të dëshiroja shumë që ata të ktheheshin në Dublin me propozime konkrete”, u shpreh Zelensky.
Ai pranoi se mbetet skeptik për rezultatet e negociatave, por shtoi se “ka shpresë” për përparim në procesin diplomatik.