I ftuar në një lidhje Skype në Syri TV, analisti Agim Nesho deklaroi se kryeministri Edi Rama ka dështuar politikisht në iniciativat e tij për të rritur rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke u ndalur te çështja e samitit të NATO-s dhe procesi i integrimit europian.
Nesho tha se prej kohësh mediat dhe analistët në SHBA kanë ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e zhvillimit të samitit të NATO-s në Shqipëri, duke evidentuar edhe problematikat e sigurisë.
Ai theksoi se Rama e ka përdorur këtë çështje për propagandë politike dhe për të krijuar imazhin e një lideri me rol ndërkombëtar, ndërsa në realitet këto iniciativa nuk po konkretizohen.
Nesho e cilësoi si retorikë justifikuese edhe deklaratën e Ramës se, nëse samiti nuk zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027, mund të mbahet në vitin 2028, duke e krahasuar me justifikimet për procesin e integrimit europian.
Analisti u ndal edhe te vizita e Ramës në Paris, ku, sipas tij, kryeministri la të kuptohej se pengesat për integrimin e Shqipërisë në BE mund të vijnë nga zhvillimet politike në Francë.
Në përfundim, Nesho kritikoi ashpër qeverisjen e Ramës, duke e akuzuar për autoritarizëm, prepotencë dhe kufizim të lirive qytetare, përfshirë të drejtën kushtetuese për të protestuar.
Ai përfundoi se dështimi i këtyre iniciativave përbën një dështim politik të kryeministrit.
Pjesë nga intervista:
Çështja e samitit të NATO-s vitin e ardhshëm në Shqipëri kishte kohë që qarkullonte në shtypin kryesor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku gazetat kryesore, analistët e të tjerë thoshin se nuk do të kishte një samit të NATO-s. Një nga arsyet pse nuk do të bëhej ky samit ishte çështja e sigurisë, elementet politikë që e shoqërojnë Shqipërinë si një vend të pasigurt në këtë kuptim, duke e rrëzuar atë që zoti Rama për një kohë të gjatë kishte propaganduar, sikur do të ishte një rikthim i rolit aktiv jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të tij si një lider i të gjithë grupimit të vendeve të Evropës Juglindore, jo vetëm për arkitekturën e sigurisë evropiane, por edhe më gjerë.
Pra, të gjitha këto ngjarje, të cilat zoti Rama i kishte projektuar më tepër për të pasur mundësi për të ushtruar presion ndaj opinionit publik shqiptar, i cili nga dita në ditë vuan keqqeverisjen, abuzimet, mënyrën e sjelljes së tij si një diktator i ri ndaj popullit të tij, synojnë të tregojnë se ai është i pranueshëm, një njeri me vlera, jo vetëm në vendin e tij, por edhe në komunitetin ndërkombëtar.
Pra, çështja e NATO-s u përpoq të mbahej me forcë nga Rama për të fituar kohë, sepse, po ta shikosh deklaratën që u bë pas samitit të NATO-s në Turqi, nuk flitej hapur se do të kishte një samit vitin tjetër dhe se ai do të mbahej në Shqipëri. Pra, edhe në këtë rast, justifikimet e Ramës se, edhe nëse nuk do të bëhet në vitin 2027, do të bëhet në vitin 2028, se radha është e jona, janë njësoj si justifikimet e tij se ne po bëjmë punët e shtëpisë sonë, ne po bëjmë integrimin e Shqipërisë në Evropë, por nëse Evropa nuk do, ne nuk do të pranohemi.
Pra, është e njëjta retorikë justifikuese, duke treguar, në fund të fundit, se të gjitha projektet e tij madhore, për të cilat ai pretendon se ka marrë votën e shqiptarëve, duket se nuk do të realizohen.
Dhe këtu, nëse më lejon, dua të them se edhe në vizitën e tij në Paris, me adresimin që u bëri pjesëmarrësve në një konferencë në lidhje me integrimin dhe mundësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, tregoi se ky integrim do të jetë i pamundur jo për shkak të Shqipërisë, por për shkak të Francës, ndryshimeve të mundshme që mund të bëhen atje, sistemit të pranimit që mund të vendoset me referendum, duke lënë të nënkuptohet se edhe regjimi mund të ndryshonte në Francë në favor të së djathtës.
Pra, Rama ka dështuar në të gjitha iniciativat e tij dhe në atë që i ka kërkuar votë popullit, pa folur për problematikat e tjera që e shoqërojnë, si mënyra autoritare, prepotenca dhe mënyra e papranueshme e sjelljes ndaj lirisë së tyre për të shprehur jo vetëm mendimin, por edhe fakti se tashmë qytetarëve nuk u lejohet e drejta kushtetuese për të protestuar, duke e kthyer vendin tonë drejt një diktature të re.
Në përfundim, mendoj se Rama, me gjithë këto përpjekje që ka bërë dhe me dështimin e iniciativave të tilla, si për të ngritur rolin e Shqipërisë në vendimmarrje dhe në bashkëpunimin që duhet të ketë në kuadër të Traktatit të Atlantikut të Veriut, ashtu edhe në procesin e integrimit evropian, sigurisht që ka dështuar politikisht.
© SYRI.net
Samiti i NATO-s në Tiranë anulohet, Tritan Shehu: Shqipëria ka humbur besimin, shkak korrupsioni dhe lidhjet e qeverisë me krimin
Shkatërrohet blegtoria, Shqipëria në kthetrat e importeve! Banka Botërore zbulon përmasat e krizës në bujqësi
VIDEO/ Berisha uron Kombëtaren para ndeshjes me Finlandën: Fat dhe fitore! Shpresoj që ‘palloshi i gjatë’ të mos jetë në stadium