35 vite Shoqata Tirana  Shoqata “Nderi i Kombit” feston përvjetorin, synon përfshirjen e të rinjve dhe grave

12/11/2026 17:37

Shoqata Tirana “Nderi i Kombit” festoi 35-vjetorin e themelimit në një ceremoni që bëri bashkë personalitete, intelektualë dhe qytetarë anëtarë të Shoqatës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Shoqata Tirana është ndër të parat e krijuara pas rrëzimit të sistemit monist dhe sot, pas 3 dekadash e gjysmë Shoqata funksionon me një Asamble të konstituar dhe të institucionalizuar me Statut. Aktiviteti nisi me punimet e Asamblesë që miratoi Kodin Etik dhe diskutoi për sfidat e radhës.

“Ne kemi vendosur me Statut që asnjë kryetar Shoqate dhe Asambleje nuk do të drejtojë më tepër se katër vite, në mënyrë që këtu t’i shërbejmë edhe shoqatave të tjera, sindikatave, por edhe partive politike”, u shpreh Shkëlqim Hajdari, kryetar i Asamblesë së Shoqatës Tirana.

“Ishim një Shoqatë që nuk kishim as zyrë. Sot kemi shtëpi, kemi një Statut tepër modern, kemi Kodin e Etikës. Kanë qenë disa akte normative që i kemi miratuar që e kanë orientuar shoqatën në rrugën e institucionalizimit të saj”, u shpreh Ruzhdi Keçi, kryetar i Shoqatës Tirana.

Më qëllim për të ruajtur historinë, kulturën dhe traditat e kryeqytetit, por edhe për të ruajtur funksionin si një shoqatë e pavarur dhe demokratike, kryetari i Asamblesë, Shkëlqim Hajdari foli për përpjekjet për të zgjeruar Shoqatën me pjesëmarrjen e brezit të ri.

“Do të shtojmë numrin e të rinjve dhe grave në Asamble, në mënyrë që Shoqata të dekretojë në Shqipëri nuklin demokratik që trupa qëndron, individët që drejtojnë, kontribuojnë për një mandate dhe më pas ia lenë trashëgim të tjerëve”, u shpreh Shkëlqim Hajdari.

Punimet më pas ia lanë vendit festës, në ritmet e muzikës popullore shqiptare interpretuar nga këngëtarët më në zë, që ashtu sikurse është motoja e Shoqatës, ruajnë vlerat e komunitetit kryeqytetas.

Top Channel