Rama, ky virtuoz i amnezisë selektive

Rama, ky virtuoz i amnezisë selektive

Nga Sonila Meço - 12/11/2026

Rama vetidentifikohet si artist, ama talent të vërtetë ka alkiminë e oportunizmit.

Më kujtohet bash mirë kur në qershor 2022, në Kiev miratoi një qëndrim të përbashkët që e konsideronte shtimin e armatimeve për Ukrainën dhe forcimin e sanksioneve kundër Rusisë pjesë të përgjigjes efektive ndaj agresionit. Madje me vrull entuziazmi burimor nga çasti historik, pranë Zelenskit dhe në krah të një kryeministri tjetër shqiptar asokohe të Malit të Zi, me mikrofonat e servilët e mahnitur pranë, do t’i bënte thirrje Europës për sanksione shumë më të ashpra ndaj Rusisë agresore.

Mandej në shkurt 2024, përballë Zelenskyt, në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë kritikonte ashpër vonesat e Perëndimit në ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës dhe e quante agresionin rus kërcënim ekzistencial për Europën.

Sot, nga Dublini, duke përsëritur në një “skamje” batutash teorinë e të gjatit të vetëm karshi të mëdhenjve, i kthehet Europës se i dha me shumë rëndësi armatimit të Ukrainës se diplomacisë me Putinin. Por nuk dinte të gjegjej se cilat mundësi konkrete negociimi kanë lënë pa shfrytëzuar europianët dhe çfarë rezultati realist mund të sillnin ato.

Mirëpo në këtë konstatim publik që kohë pas kohe i vinte fre me idenë se përfaqëson një vend shumë të vogël për të dhënë mend, u ngazëllye prej mikrofonave e vëmendjes mediatike në korridoret e samitit dhe bëri ca sofizëm.

Rama shpiku një lloj diplomacie që i faturon Europës dështimin për të parandaluar një luftë që nuk e nisi ajo vetë, ndërsa agresorit, Putinit, i njeh privilegjin të jetë i pandryshueshëm.

Pra sipas teorisë “kofini pas të vjelit”, që është mjeshtëri e Ramës, Putini vendos çfarë merr me forcë, Europa mban përgjegjësinë që nuk ia dha me të mirë, ndërsa Rama, që dikur kërkonte armatime e sanksione pa asnjë tolerancë krekoset në kontradiktë se helbete, vend i vogël ne, merr vesht…

Europa ka 1001 kusure e gabime, por ka edhe kujtesë historike, i dhemb ende ajo dritëshkurtësi e së shkuarës kur Chamberlain e Daladier më 1938-ën besuan në Mynih se mund të negociohej një paqe e qëndrueshme me një agresor që çoi botën në luftë. Historia nuk i gjykoi për mungesën e diplomacisë, por për keqleximin e ambicieve të tij.

Dhe si virtuoz i përgënjeshtrimit të vetes pa i bërë syri tërr, kritikoi edhe delegimin e diplomacisë europiane tek Trump, kur vetëm para një viti në një intervistë për La Razón do të deklaronte se Zoti e kishte shpëtuar  Trump-in nga atentatet jo vetëm për ta bërë Amerikën sërish të madhe, por edhe për të zgjuar Europën.

Ja se po ia falim edhe këtë piruetë marramendëse, por nuk u përgjigj se  çfarë formule diplomatike mund të kishte Europa, që nuk e gjeti dot as Uashingtoni? Çfarë duhej të negocionte Europa? Sovranitetin e Ukrainës? Kufijtë e saj? Apo të drejtën e Rusisë për të vendosur se cilat shtete lejohen të ekzistojnë jashtë sferës së saj të ndikimit?

Nuk u përgjigj më i gjati prej krejtëve. Por ndoshta Rama nuk po shpik një doktrinë të re diplomatike, thjesht po eksporton filozofinë e vet të pushtetit.

Sepse edhe në Shqipëri, sipas kësaj logjike të Ramës, problemi nuk është pushteti që refuzon kufizimin e vet, por opozita që nuk di të negociojë me të. Nuk është përgjegjësia e qeverisjes për gjendjen e demokracisë, por paaftësia e kundërshtarëve për të gjetur gjuhën e duhur me qeverisësin.

Opozitës i kërkohet të ulet në tryezë me pushtetin që deformon garën, ndërsa vetë kushtet e garës mbeten në dorën e atij pushteti. Dialogu shpallet zgjidhje, pavarësisht nëse prodhon garanci apo legjitimon status quo-në.

Si në rastin e kritikës për Europën, Rama barrën e kompromisit ia ngarkon palës që kërkon garanci, jo asaj që zotëron instrumentet e pushtetit dhe agresionit.

Patjetër, agresioni ushtarak dhe konflikti politik nuk janë e njëjta gjë. Ama mekanizmi retorik është identik, dialogu është zgjidhja, pa u pyetur se kush vendos kushtet dhe kush paguan çmimin e marrëveshjes.

Sot i ka folur nënvetëdija kryeministrit tonë me 101 andrralla n’tok’ t’vet. I propozoi Europës të njëjtën formulë që do të dëshironte për opozitën shqiptare, mos më kërkoni të ndryshoj mënyrën si ushtroj pushtetin, por ndryshoni ju mënyrën si më kundërshtoni.

Mos më kërkoni të heq dorë nga çfarë kam marrë, bindini të tjerët të heqin dorë nga ajo që u takon.

Se mos harroj edhe atë konfirmimin solemn e sarkazmën inatçore në krah të ministrave dhe stafit për mbajtjen e samitit të NATO-s në Tiranë në 2027-ën.

Jo, hiç, thjesht sot tha se s’bëhet…

Ah ky virtuoz i amnezisë selektive!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco