Italia i bashkohet BE-së kundër ndryshimeve në Ligjin e Speciales: Konsultimet ende nuk janë zhvilluar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Italia i bashkohet BE-së kundër ndryshimeve në Ligjin e Speciales: Konsultimet ende nuk janë zhvilluar

    Insajderi
    12 November 2026 - 18:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Në reagimin e saj, Ambasada italiane ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze sa i përket përmbushjes së zotimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimit të parimeve themelore të sundimit të ligjit.

    Sipas Ambasadës, shqetësimet lidhen veçanërisht me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe sigurimin e llogaridhënies efektive. Po ashtu, është ngritur edhe çështja e kushtetutshmërisë së këtyre ndryshimeve.

    Ambasada ka bërë të ditur se, që nga kthimi i ligjit në Kuvend për rishqyrtim, ka qenë aktive në përcjelljen e shqetësimeve dhe pritshmërive të saj tek autoritetet e Kosovës.

    Në këtë drejtim, ka theksuar nevojën për konsultime paraprake para miratimit të çfarëdo ndryshimi, në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.

    “Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar”, thuhet në reagimin e Ambasadës italiane.

    Më tej, Ambasada vlerëson se ligji në formën aktuale nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Postimi i plotë i Ambasadës italiane:

    “Ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me votimin e mundshëm që pritet të mbahet nesër për ligjin që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me përmbushjen e zotimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Këto ndryshime gjithashtu ngrenë pikëpyetje lidhur me kushtetutshmërinë e tyre.

    Që nga kthimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, ne kemi qenë aktivë në përcjelljen e shqetësimeve dhe pritshmërive tona tek autoritetet e Kosovës.

    Kjo përfshin edhe nevojën për konsultime paraprake para miratimit të çfarëdo ndryshimi, në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.

    Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar. Ligji në formën aktuale nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark