Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot një tjetër seancë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të përgatitjeve për përballjen me Izraelin.
Ndeshja do të zhvillohet të shtunën në Prishtinë, ndërsa seanca e sotme ishte e parafundit para këtij dueli.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar për ecurinë e përgatitjeve, duke bërë të ditur se përzgjedhësi Franco Foda ka vazhduar punën me futbollistët, me fokus te aspektet taktike, organizimi i lojës dhe detajet e nevojshme për përgatitjen sa më të mirë të ekipit.
“Përzgjedhësi Franco Foda ka vazhduar punën me futbollistët, duke u fokusuar në aspektet taktike, organizimin e lojës dhe detajet që synojnë ta përgatisin sa më mirë ekipin për sfidën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Megjithatë, në stërvitjen e sotme ka munguar Ermal Krasniqi, për shkak të shqetësimeve muskulore.
Sipas Federatës, futbollisti është nën përkujdesjen e stafit mjekësor të Kombëtares.
“Pas ekzaminimeve mjekësore do të bëhet i ditur vlerësimi për gjendjen e tij”, thuhet në njoftim.