Monika Kryemadhi deklaroi se ka qenë ajo që ka negociuar kontratën e lobimit të LSI-së me kompaninë amerikane GSIS, ndërsa ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, nuk kishte dijeni për veprimet e kryera. Pas seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme, ku paraqiti kundërshtimet ndaj provave të SPAK-ut, ish-deputetja tha se kontrata ishte firmosur nga Petrit Vasili, ndërsa tri faturat e LSI-së ishin paguar nga Luan Rama, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të partisë. “Kontrata është firmosur nga Petrit Vasili. Negociatat me kompaninë i kam bërë unë, ndërsa tri faturat e LSI-së i ka paguar sekretari i përgjithshëm, Luan Rama. Në këtë kontekst, për hir të së vërtetës, Ilir Meta nuk ka pasur komunikim për kontratën dhe nuk ka pasur dijeni për çfarë kemi bërë ne”, deklaroi Kryemadhi.